Inspektorati Policor i Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet preliminar për rastin e vrasjes së Lulzim Fejzullahu, si dhe për raportimet fillestare nga Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh për këtë incident.
Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së ka caktuar një grup hetimor të cilët për pesë ditë me radhë janë angazhuar përveç tjerash në grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast.
Sipas IPK- së, raporti i parë u ndryshua nga zyrtari i Qendrës në Prishtinë, ndërsa është iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës dhe do të procedohet në Drejtorinë përgjegjëse për hetime displinore brenda Policisë së Kosovës.
Njoftimi i plotë i IPK-së:
IPK ka krahasuar dhe analizuar raportet e shpejta që janë dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportin e shpejtë të cilin kjo Qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nga analiza dhe krahasimi rezulton se këto raporte nuk kanë përmbajtje të njëjtë. IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit 2024-AF-0039 përmban raportin e shpejt të përpiluar nga Stacioni Policor Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes.
· Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikues se DPP, (raporti i cili përmban informacionin se viktima është i therur me thikë), është ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë. Ky ndryshim është bërë bazuar në komunikimin që zyrtari i kësaj Qendre ka pasur me Stacionin Policor në Podujevë, të cilët këto informacione i kanë dhënë bazuar në informatat e para nga zyrtarët policorë që kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është gjetur thika në afërsi të personit të lënduar.
· I njëjti raport është dorëzuar në ditën e njëjtë në Prokurori së bashku me Kallëzimin penal, ndërsa raporti i ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë është përcjellë vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë (dhe i njëjti raport është publikuar në raportin 24 orësh nga PK-ja më 15.01.2024).
· Përkundër ndryshimit të këtij raporti i cili ka krijuar konfuzion në publik, pas analizimit të të gjithë dokumentacionit dhe intervistave të zhvilluara, IPK vlerëson se ky lëshim nuk ka ndikuar në integritetin e hetimit dhe kualifikimin fillestar të rastit, pasi që dosja hetimore është dorëzuar në prokurori brenda ditës së incidentit para se të dërgohet raporti i shpejtë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe e njëjta përmban të gjitha informacionet e sakta sipas video-incizimeve të vendit të ngjarjes (disa ditë para publikimit të video-incizimit të incidentit në medie).
· Megjithatë, duke vlerësuar ndjeshmërinë e rastit dhe paqartësitë që ka krijuar ky lëshim në publikimin e raportit 24 orësh, IPK ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës dhe do të procedohet në Drejtorinë përgjegjëse për hetime displinore brenda Policisë së Kosovës.
· Krahas kësaj, IPK do të inicioj një inspektim për të analizuar dhe vlerësuar mënyrën e raportimit dhe komunikimit si dhe hartimin e raporteve të shpejta në të gjitha nivelet brenda Policisë së Kosovës. Realizimi i këtij inspektimi bëhet me qëllim për të nxjerrë në pah dobësitë eventuale të raportimit dhe komunikimit dhe për të dhënë rekomandime drejt përmirësimit së performances policore në këtë fushë.