Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka shpallur pesë ditë zie pas gjetjes së trupave të presidentit, Ebrahim Raisi, dhe ministrit të Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, në vendin ku u rrëzua një helikopter në veriperëndim të Iranit.
Televizioni shtetëror i Iranit raportoi më 20 maj se helikopteri u rrëzua si pasojë e motit të lig. Është e paqartë se sa njerëz ndodheshin në bordin e helikopterit kur ai u rrëzua.
Khamenei gjithashtu e emëroi zëvendëspresidentin e parë, Mohammad Mokhber, si president të përkohshëm. Ligji iranian thekson se, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë.
Një këshill, i përbërë nga kryetari i Parlamentit, kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditëve.
Zëvendësministri i Jashtëm, Ali Bagheri, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, raportuan mediat shtetërore iraniane.