Kryeministri i Kosovës Albin Kurti refuzoi të takonte kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, i cili zhvilloi një tur takime në rajon.
Në një intervistë televizive në Kosovë, Rama nuk interpreton qëndrimet e Kurtit, por theksoi se është e rëndësishme që njerëzit të flasin dhe të takohen për të diskutuar madje edhe kur kanë mendime të ndryshme.
Kreu i qeverisë u shpreh se ka dashur edhe më parë një takim me Kurtin, pas anulimit të dy mbledhjeve, por nuk është zhvilluar për shkak të impenjimeve të Kurtit.
E në lidhje me këtë ka reaguar ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka.
Ai ironizoi me kryeministrin Rama për përgatitjen që ai theksoi të procesit të Berlinit duke theksuar që nuk ka pasur ndonjë të re të veçant Rama, përcjell “Bota sot”.
“Ishte Rama ai që, për shkak të miopisë politike dhe lajthitjes strategjike, u rreshtua me Vuçiçin në “Ballkanin e Hapur” dhe kërkoi me këmbëngulje që edhe Kosova të bëhej pjesë e saj”, shtoi ndër të tjera Lauka.
Sipas tij, Rama shkoi në Prishtinë, jo për të kërkuar falje për dëmet dhe dështimin e “Ballkanit të Hapur”, por përkundrazi, për të kërkuar llogari.
Postimi i plotë
Dështimi i paralajmëruar i KM Rama në Prishtinë
Në kuadrin e turit të tij ballkanik, KM i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi edhe Prishtinën. Por ai nuk u prit nga homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti. Ndërkaq, atë e priti presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, por me asnjërin prej tyre nuk pati konferencë shtypi, siç ndodhi në Shkup e Sarajevë. Konjufca edhe u tall me kryeministrin Rama, duke deklaruar se ai iu duk shumë më “i shqetësuar” se vet udhëheqësit e Kosovës për zhvillimet në Veri.
Qëllimi i vizitës, sipas Ramës, ishte përgatitja e samitit të proçesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet tetorin e ardhshëm në Tiranë. Po çfarë të rejash mund të sillte Rama për këtë proçes? Për çfarë do t’i “ndriçonte” udhëheqësit e Kosovës? Ata kanë qenë, me kohë, të qartë e të përkushtuar pikërisht ndaj procesit të Berlinit. Ishte Rama ai që, për shkak të miopisë politike dhe lajthitjes strategjike, u rreshtua me Vuçiçin në “Ballkanin e Hapur” dhe kërkoi me këmbëngulje që edhe Kosova të bëhej pjesë e saj. Refuzimin e argumentuar të KM Kurti e trajtoi si kokëfortësi të tij, duke i dhënë zë tezes serbe se me shqiptarët e Kosovës është e pamundur të merresh vesh, ndërkaq, me ata të Shqipërisë, po.
Këto ditë, Rama shpalli se “Ballkani i Hapur” e kreu misionin e tij dhe se tani i duhet përkushtuar proçesit të Berlinit. Pyetja që shtrohet është se çfarë misioni kreu kjo nismë, kur nga 6 vende të BP, asaj iu bashkuan vetëm tri. A mos vallë, misioni i saj ishte ta paraqesë Kosovën si “delen e zezë” të rajonit tonë? Në qoftëse kjo është e vërtetë, atëherë Rama duhej të shkonte në Prishtine për t’iu kërkuar falje insitucionëve e popullit të Kosoveë dhe KM Albin Kurti për kohën e humbur kot për një nismë si “Ballkani i Hapur”, e cila, në fakt, e përçau rajonin dhe çoi ujë në mullirin e Beogradit dhe të Moskës.
Por duket se Rama shkoi në Prishtinë, jo për të kërkuar falje për dëmet dhe dështimin e “Ballkanit të Hapur”, por përkundrazi, për të kërkuar llogari . Dhe me plotë të drejtë, i treguan vendin që meriton.