Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ish-deputeti i PDK-së kundër opozitës: Kurtit i duhet mbështetje maksimale në këtë kohë krizash

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit dhe ish-deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka thënë se përpjekja e Qeverisë së Kosovës për të vënë rend dhe drejtësi në gjithë vendin do ta ketë përkrahjen nga ai në çdo kohë.

Në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa shkroi se kryeministri Kurti duhet të mbështetet maksimalisht në këto kohë krizash, gjithandej.

“Jemi një popull i vogël, por gjithnjë zemër mëdhenj në përballje me rreziqet. Gjithmonë kemi synuar paqen, por nuk ju kemi frikësuar as luftërave. Duket qartë se opozita nuk është e koordinuar dhe si duket nuk ka ndonjë rrugëdalje për të tejkaluar situatën e krijuar”.

“Një gjë jam i sigurtë, se pavërsisht se çfarë opinioni prodhojnë mediat, analistët apo edhe opozita, Kryeministri Kurti është në rrugë të drejtë në synimin e tij për të shtrirë pushtetin në tërë territorin e Kosovës. Në veriun e vendit tonë, deri tani kishte gjithçka, por mungonte substancialisht rendi dhe ligji”, tha ish-deputeti.

Sipas tij, cilësimi i dy organizatave ilegale të veriut si terroriste nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është bërë pa konsulta me aleatët dhe miqtë ndërkombëtarë.

“Kam miq të huaj gjithandej, e në veçanti nga SHBA që punojnë e veprojnë në Kosovë që nga viti 1996 e deri më sot. Ata ende vazhdojnë të përkrahin e mbështesin Kosovën si më parë, dhe këtë e konfirmojnë gjatë bisedave që zhvilloj me ta rregullisht” u shpreh ai.

Mustafa konsideron se strategjia për shtrirjen e sovranitetit nga qeveria do të ketë sukses në ruajtjen rendit dhe ligjit, e sipas tij, analistet dhe mediat që po gozhdojnë pandershëm misionin për rend dhe ligj do të përfundojnë pandershëm.

“Që të gjithë, pa dallim dhe pa përjashtim përkrahin vendimet e institucioneve të vendit tonë, dhe mbështesin fuqishëm përpjekjet e aparatit shtetëror në vendosjen e sundimit të ligjit në secilin cep të Kosovës, duke përfshirë veriun”, ka shkruar ai.

Mustafa tha se politika kosovare pa dallim duhet të jetë unike përballë këtyre stuhive, sepse vetëm kështu rezulton fitimtare.