Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ish-diplomati amerikan për një dokument amnistie të lëshuar nga Remi për disa persona të ndaluar: Është hera e parë që e shoh këtë

 
   

Gjatë sesionit të paradites të gjykimit në rastin Thaçi dhe të tjerët, ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes u mor në pyetje nga gjyqtari Guenael Mettraux i cili e pyeti lidhur me një dokument që pretendohet që e kishte lëshuar komandant Rrustem Mustafa- Remi për amnistinë ndaj disa personave të ndaluar.

Dëshmitari gjithashtu u pyet se kur ishte takuar me Remin a i kishte treguar atij se i kishte ndaluar këta persona për shkak se sipas gjyqtarit, nga dalja e këtij dokumenti që po paraqitej në seancë i bie që këta persona ishin rreth gjashtë muaj në ndalim.

“Nuk me ka thënë. Është hera e parë që e shoh këtë dokument dhe gjithashtu unë nuk kam qenë në dijeni që ka pasur të ndaluar, të rrëmbyer në zonën e Llapit. MVK-ja e OSBE-së ka qenë përgjegjëse tërësisht, tërësisht përgjegjëse në këtë periudhë kohore për këto lloj aspektesh, për këto lloj veprimesh nëse ka pasur takime mes Remit, shtabit të tij dhe ndërkombëtareve atëherë këto takime mbaheshin me ambasadorin Walker të MVK-së dhe shtabin e tij”, ka thënë dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Mettraux.

Shaun Byrnes e ka mohuar të kishte dijeni se çfarë bëri Remi me këta persona dhe nuk e dinte nëse i liroi. Por, ai e ka pohar se ekziston mundësia që ky dokument amnistie e Remit ishte bërë në bazë të autoritetit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-se që rridhte nga komunikata politike, rregullore të brendshme e rregullore mbi administrimin civil.

Ai gjithashtu ka thënë se rrallëherë kishin qasje në dokumente siç ishin këto për amnisti dhe ndalime nga ana e UÇK-së.

Ndërsa, për komunikatat që pretendohen se janë lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ai tha se nuk i konsideronin shumë të rëndësishme.

“Unë sa me kujtohet nuk i merreshim shumë më rendësi.  Ndoshta kemi bërë gabim. I konsideronim si komunikim me publikun.. i lexonim por nuk iu kushtonim shumë rendësi”, tha ai.

Ai u pyet edhe për komunikatat e tjera të UÇK-së për të cilat dëshmitari tha se rrallëherë kishin qasje në dokumente të tilla.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Fergal Gaynor dëshmitari tha se kanë parë shumë pak komunikata të tilla.

“Së pari në kishim qasje të kufizuar. Kemi parë shumë pak komunikata të tilla; së dyti; analiza jonë sa i takon operacioneve të UÇK-së bazohej në dy faktor; q ishte komunikimi ynë me udhëheqjen e lartë të UÇK-së, Sokol Bashotën, Jakup Kransiqin, z.Buja, dhe komandantet e zonave dhe 2 tek veprimet e tyre që i shihnim me sy tanë në terren se ndonjëherë veprat flasin më shumë se fjalët”, tha ai.

Tutje, ai pohoi se ka pasur mundësi që UÇK-ja të bëjnë ‘lojë’ me ata.

“Po patjetër. Ne do të kishim qenë tepër naiv nëse nuk do ta mendonim këtë gjë. Po them kështu, ndonjëherë ndoshta po përpiqeshin të na manipulonin”, tha dëshmitari.

I pyetur për rastin që pretendohet që ka ndodhur në Likoc sa i takon ndalimit të pesë serbeve të moshuar, dëshmitari tha se nuk i din arsyet e këtij ndalimi. Ai gjithashtu tha se nuk e dinte se kujt po i raportonte Sami Lushtaku pasi që u tha se serbet ishin ndaluar me urdhër të tij.

Ndryshe, prokurori nuk kishte pyetje plotësuese për këtë dëshmitar  ndërsa ekipet mbrojtëse shprehen interesimin për ta bërë një gjë të tillë e cila pritet të vazhdojë gjatë seancës së pasdites.

Pas kësaj, në pyetje shtesë nga mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Mishetiq, dëshmitari u pyet lidhur me një pretendim të ngritur nga ai ku thuhej se kishte shprehur shqetësimin për vrasjet që po ndodhnin brenda shqiptarëve nga UÇK-ja.

I pyetur se për cilët shqiptarë e kishte fjalën, dëshmitari tha se nuk mund të jep asnjë emër por që iu kujtohet një rast ku ishte dërguar në një morg që të vizitonte mbetje mortore të disa shqiptarëve që supozohet që ishin vrarë.

“S’mund të ua jap asnjë emër të asnjë shqiptarë të Kosovës po mund të iu them këtë me sa me kujtua mua, në shtator… dhe unë morëm një kërkesë, në fakt na quan në Gllogjan pranë Gjakovës na treguan një vend ku pretendohej se ishin quar dhe vrarë nga UÇK disa katolik shqiptar nga Prizren pastaj na quan në një morg në Gjakovë sa me kujtohet dhe na i treguan mbetjet dhe sendet personale të këtyre personave”, ka deklaruar ai, raporton Betimi për Drejtësi.

Për të katërtën ditë me radhë, ish-diplomati amerikan po vazhdon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Byrnes ka udhëhequr Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara (KDOM) gjatë periudhës 1998-99. Zyrat, KDOM-i i kishte në Fushë-Kosovë dhe funksiononte në kuadër të Ambasadës së SHBA-së në Beograd.

Byrnes ishte dëshmitar edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi.