Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ish-diplomati për dinarin: U bë shumë zhurmë, po mundohen ta zhvendosin temën e Asociacionit

 
   

Ish-diplomati, Sylë Ukshini ka thënë se është bërë shumë zhurmë për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë teksa ka shtuar se qeveria përmes kësaj po mundohet të zhvendosë temën e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Në lidhje me këtë, në emisionin “FIVE”, ish-diplomati ka theksuar se çështja e dinarit është bërë pa nevojë kaq e madhe kështu duke thënë se në Bruksel po shkohet për çdo gjë.

“Për cdo gjë po shkohet në Bruksel, dinari është bërë pa nevojë kaq e madhe. Ata që përdorin dinarin duhet të paguajnë një taksë, gjobë. Zhurma që ka bërë Beogradi, kam përshtypjen se u bashkuan të gjithë, Qeveria e Kosovës u dasht të marrë paragrafin e 4-të të vendimit të Kushnerit, personat që përdorën në transaksione dinarin do të merrnin një taksë, me këtë rast qeveria me aleatët do të fitonte kohë”, ka thënë Ukshini.

Sipas Ukshinit, vendimi për dinarin mund të jetë “për të turbulluar ujërat” në atë formë për të “zhvendosur” temën e Asocacionit.

Ai thotë se nëse një vendim merret nga ana e qeverisë atëherë nuk duhet të ketë tërheqje, pasi imazhi dhe reputacioni i Kosovës po shkatërrohet.

“Unë mendoj se duhet që të ketë një koordinim final, një vendim që merret mos të tërheqet, pasi kjo po i bën dëm reputacionit dhe imazhit, në fund spo përfitojmë asgjë.Të paktën nëse tërheqet vendimi, të marret një bonus. Vendimi mund të jetë për të turbulluar ujërat, për të zhvendosur temën e Asocacionit”, ka vijuar ai.

Në lidhje me rezultatet nga ky takim edhe analisti, Melazim Koci tha se çështja e dinarit u shndërrua në lojë politike.

Sipas Kocit, në fillim pati deklarata nga ndërkombëtarët se vendimi është legjitim pastaj u krijua problemi.

“Lojë politike, u shëndrrua në lojë, vetë thanë se vendimi është legjitim, pastaj u krijua problemi. Qeveria nuk ishte konsistente, nuk duhet të lejonin të bartej kjo cështje në Bruksel”, ka thënë Koci.

Sipas tij, ky vendim mund të prodhojë probleme sociale dhe të sigurisë.

Ndryshe, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Për javën e ardhshme, Bislimi paralajmëroi një takim tjetër, për të parë nëse propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm që, siç tha, “do të ishte i pranueshëm për Kosovën”.