Ish-eprori i UÇK-së, Shukri Kluna, ndjehet në faj që ai bashkë me pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka mundur ta shpëtojë nga dhunimi Vasfije Krasniqin, gruan që në kohë të luftës ishte vetëm 16-vjeçare kur u rrëmbye nga policia serbe.
Në emisionin Edicioni Special, ku ishte i ftuar së bashku me Krasniqin, Kluna deklaroi se ka qenë kohë e vështirë dhe kohë luftë, dhe sidomos ballafaqimi me rastin e zonjës Vasfije.
“Vërtetë ka qenë për neve shokues si rast sepse na ka prekur të gjithëve, fillimisht ndjenjat tona, dhe s’e kemi pasur fare të lehtë të ballafaqohemi edhe për nga eksperienca e edhe për nga emocioni”.
“Momentin që e kemi marr informatën që një vajzë në fshat u rrëmbye nga një grup paramilitaresh kriminelë, menjëherë kanë filluar reagimet e njësitit në tërë zonën duke u shpërndarë e duke grumbulluar informatat e para se ku dhe ku mund ta dërgojnë zonjë Vasfije”.
“Atëbotë djemtë dhe vajzat e atij njësiti të UÇK-së kanë bërë gjithçka derisa nuk kanë siguruar informatat e sakta. Në njëfarë mënyrë ne i kemi pasur informacionet e sakta se ku i kanë dërguar, në cilin lokacion, mirëpo për shkak të pamundësive të cilat ne kemi qenë në atë kohë, nuk kemi mundur të reagojmë drejtpërdrejt për të parandaluar një akt të tillë”, deklaroi Kluna.
Tutje ai shtoi se secilin prej pjesëtarëve të UÇK-së i ka brejtur ndërgjegjja dhe se secili prej tyre ka qenë jashtëzakonisht i thyer sepse nuk kanë pasur mundësi të reagojnë aty për aty.
“Po ashtu na brente fakti tjetër, sepse babai i zonjës Vasfije, baca Shaip ka qenë një kohë pjesëtar i njësitit tonë, mirëpo për shkak të rrethanave atij i ishte dashur të zhvendosej për në Gjermani për ta siguruar kafshatën e gojës për familjen dhe në njëfarë mënyrë lëre që e kishim detyrë, por e kishim edhe një borxh ndaj tani të ndjerit, ish-kolegut tonë. Dhe ishim në gjendje të bënim gjithçka për të parandaluar një akt të tillë, mirëpo nuk kishim mundësi aty për aty”, shtoi ai.
Ish-eprori i UÇK-së, Shukri Kluna, më tej tregoi se Vasvije Krasniqin serbët e kishin kthyer në shtëpi sepse ushtarët dhe paramilitarët serbë e kanë përdorur dhunimin si armë, dhe se e kanë kthyer ne shtëpi me qëllimin që prapë të kthehen ta marrin dhe ta vazhdojnë armën e tyre, por që nuk kanë mundur ta bëjnë për herë të dytë.
Kluna për Edicioni Special në Klan Kosova kujtoi se si në atë kohë kapacitetet në njerëz i kishin tej mase të kufizuara.
“Nuk kishim ekspertë të lëmisë, pra në është dashur ne si ushtarë të merremi me të (Vasfijen). Fillimisht kemi dëgjuar se çka i ka ndodhur dhe jemi konsoliduar shumë shpejt për ta gjetur një mjek për ta kontrolluar. Për fat të mirë diku thellë në zonë ka qenë një gjinekolog, Nysret Haredini, dhe e kemi dërguar te mjeku”.
“Pastaj gjatë gjithë kohës një pjesëtare e njësitit tonë i ka qëndruar afër se ajo ishte femër dhe bisedat me të ishin më të lira, mirëpo mbikëqyrjen prej atij momenti si njësit e kemi pasur mbi Vasfijen dhe familjen e saj dhe të gjithë popullatën tjetër që ka qenë në afërsi, sepse kriminelët kanë tentuar t’i përsërisin aktet, por nuk ia kanë arritur më”, përfundoi Kluna.