Ish-inspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shkëlzen Sopjani, ka thënë se nuk sheh indice për tensione në veri të vendit pas vendimit të BQK-së për dinarin.
Ai tha se marrë parasysh se janë ndërmarrë edhe disa veprime nga institucionet e Kosovës, të cilat i quajti goxha ekstreme, nuk ka pasur tensionim të situatës.
“Edhe këtë vendim po e shoh kryekëput në funksion të shtrirjes së rendit e ligjit por edhe në funksion të luftimit të krimit të organizuar, marrë parasysh se nuk është që po ndalohet apo legalizohet dinari në Kosovë, por qëllimi i vendimit është të kontrollohet rrjedha e parasë e jo të legalizohet”, tha Sopjani në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se nuk ka vendim të BQK-së që e bën dinarin ilegal në Kosovë, por sipas tij, vendimi ka të bëjë me futjen në sistemin bankar të Kosovës së rrjedhës së dinarit në vend.
“Mos të harrojmë se rrjedha e dinarit në formën si ka qenë deri tash, kryekëput ka pasur të bëjë me mirëmbajtjen dhe financimin e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë”.
“Pra, moskontrollimi i rrjedhës së parasë i ka kontribuar shumë edhe krimit të organizuar, ka financuar edhe veprime kriminale e terroriste”, tha ai.