Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Sylës i konfiskohet telefoni gjatë bastisjes

 
   

Ka përfunduar bastisja nga Dhomat e Specializuara në shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, me ç’rast i është konfiskuar telefoni.

Kështu bën të ditur avokati, Artan Qerkini i cili tha se gjatë bastisjeve është konfiskuar vetëm telefoni i Ismail Sylës, derisa shtoi se po ta kishin ftuar këtë të fundit, do ta kishte dorëzuar telefonin, pa pasur nevojë për bastisje.

Qerkini, bastisjen e quan të kotë, duke potencuar se po cenohet privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore.

Qerkini: Është konfiskuar vetëm telefoni i Sylës

“Është duke u cenuar privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore pa ndonjë logjikë të shëndoshë juridike… Kjo fushatë e bastisjeve tashmë është e njohur për opinionin publik dhe nuk ka asnjë njeri me inteligjencë mesatare jo mbi mesatare do të mbante në shtëpinë e vet diçka inkriminuese duke e ditur se shumë lehtë mund të jetë shënjestër e bastisjeve. Prandaj, mendoj se të njëjtat janë të kota dhe nuk janë në funksion të realizmit të bastisjes, marrë parasysh rrethanat e rasteve konkrete…Asgjë s’është konfiskuar përveç se një telefon, asgjë tjetër, telefonin i përket zotit Syla, zotit Ismail Syla. Asgjë tjetër përveç një telefoni nuk është konfiskuar dhe të jeni të bindur se edhe po ta ftonin zotin Syla që ta dorëzonte atë telefon do ta bënte një gjë të tillë”, tha Qerkini.

Avokati, Artan Qerkini tha se ish këshilltari Ismail Syla dhe as të tjerët që janë bastisur gjatë kësaj jave, përkundër faktit që nuk e kanë statusin e personit të dyshuar, po bastisen.

Ai tha se arsyeja e këtyre bastisjeve është se ‘sipas tyre mund të gjenden prova me relevancë për procedurat të cilat janë duke u zhvilluar pranë Dhomave të Specializuara.

Qerkini: Edhe pse nuk e kanë statusin e personit të dyshuar, po bastisen

“Po e përsëris se edhe ai siç edhe zoti Behrami e disa të tjerë nuk e kanë fare statusin e personit të dyshuar. Përkundër faktit që nuk e kanë statusin e dyshuar, po batisen. Mendoj se kjo është shkelje kushtetuese dhe ligjore, mirëpo ne këto shqetësime do t’i adresojmë përmes mjeteve juridike në fazën adekuate të procedurës. Cila është arsye ..Arsyeja është si edhe në rastet e tjera, sepse sipas tyre mund të gjenden prova me relevancë për procedurat të çilat janë duke u zhvilluar pranë dhomave të specializuara. Kjo është e vetmja arsye, por nuk jepen detaje të tjera se pse ata mendojnë. Unë besoj se ish dashur të jepen edhe ato detaje, se po cenohet një e drejtë kushtetuese privatësia dhe paprekshmëria e banesës”, tha Qerkini.

Ndërsa dje (e martë) është bastisur shtëpia e Artan Behramit, poashtu ish-këshilltar i Thaçit si dhe shtëpia e prindërve të tij.

Bastisjet që ndërlidhen me proceset gjyqësore që po kryhen në Hagë, ditëve të fundit janë kryer edhe tek shtëpitë e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Blerim Shalës dhe ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakajt.