Koloneli në pension i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmanit, ka thënë se mungesa e reagimit dhe përgjigjes nga Qeveria për kërkesat e zyrtarëve policorë ka thelluar përçarjen brenda Policisë.
Sylejmani ka thënë se nëse FIT nuk bashkohet me kërkesat e përgjithshme të Policisë dhe përpiqet të trajtohet si njësi e veçantë, kjo mund të shkaktojë probleme dhe përçarje brenda forcave policore.
Ai ka shprehur shqetësimin se pjesëtarët e FIT po kërkojnë një status të veçantë dhe një pagë shumë të lartë, duke mos pasur mirëkuptim për situatën e përgjithshme të Policisë dhe pagat e tyre.
“Tash do të shikojmë edhe Njësia FIT se çfarë kërkesa paraqet aty, por këta derisa nuk kanë dashur të shkojnë në kuadër të krejt kërkesës së Policisë, sepse ata nuk duhet të harrojnë që Njësia e Parë Intervenuese siç e quajmë FIT, ata të gjithë janë zyrtarë policor dhe duhet ta ndajnë fatin me të gjithë zyrtarët tjerë policorë që edhe janë mbi 9 mijë plus stafi civil që i mbështet”, ka deklaruar Sylejmani.
“Nëse ata kanë shkuar që ata të trajtohen të veçantë pa dashur ta ndajnë fatin me pjesën tjetër të Policisë atëherë kjo nuk është në rregull. Atëherë vetëm do të thellohet përçarja mes njësive sepse kem disa nivele të Njësisë Speciale tjera që janë, dhe do të krijohet një lloj probleme mes tyre që dikush nuk paguhet e dikush po dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në krye me të gjitha detyrat që i kanë të gjitha njësit, duke përfshirë edhe zyrtarët policorë që janë nëpër stacione policore si reagues të parë për çdo incidenti që ndodhë”, ka thënë tutje ai.
Por, sipas tij, takimi i tyre me kryeministrin Albin Kurti është një hap pozitiv pasi ka hapësirë për diskutim dhe vlerësim të kërkesave të pjesëtarëve të NjSI-së.
Ai ka theksuar se situata dhe protestat kanë një historik, pasi kërkesat e Policisë janë injoruar për një periudhë kohore.
“Kjo periudhë kohore në të cilën nuk ka reflektuar Qeveria në asnjë mënyrë, kjo pak a shumë sipas informacioneve që kam ka krijuar edhe një lloj përçarje brenda Policisë”, ka deklaruar ai.
Koloneli në pension ka deklaruar se është e rëndësishme që Qeveria të shohë dhe të trajtojë kërkesat e Policisë në mënyrë të drejtë dhe të përgjigjet ndaj tyre.
Sylejmani gjithashtu ka kritikuar faktin që kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policisë nuk është pjesë e delegacionit në takim, duke e konsideruar këtë si një lloj injorimi i zyrtarëve tjerë të Policisë.
“Nëse në këtë delegacion nuk është kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policisë, i cili i përfaqëson të gjithë zyrtarët policorë tjerë, por kanë shkuar vetëm këta atëherë del e vërtetë kjo që po them unë. Dhe që nuk është aty në takim sepse ata nuk kanë pranuar vet. Këta kërkojnë që ta gëzojnë një status krejt të veçantë të shpallen si ekspert dhe koeficienti i tyre diku 12 apo 13 i bie që paga e tyre të jetë 1500 euro, por si ka mundësi kjo të ndodhë, këtë nuk duhet ta lejojë Qeveria, pasi nuk duhet t’i injorojë zyrtarët policorë tjerë me pagë 500-600 euro pagën”, ka deklaruar ai.