Ish-koordinatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi, tha se Serbia është fajtore për mosimplementimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Arifi duke komentuar pozicionin aktual të Serbisë në dialog, vlerësoi që Kosova ka luajtur rol të madh në mos dëmtimin e imazhit të shtetit serb.
E për “pasojat” nga këto marrëveshje, ish-koordinatori tha se ato kanë ardhur si shkak i mos leximit të tyre nga të dy palët.
“Për mos implementimin e marrëveshjeve pa asnjë mëdyshje fajtore është Serbia, njëkohësisht është edhe përfituese, sepse objektiv i tyre ka qenë që të mos ketë marrëveshje fare. Mirëpo, në imazhin e tyre, në pozicionin e tyre për të mos u dëmtuar, iu ka ndihmuar edhe Qeveria e Kosovës me vendime, me veprime unilaterale, me mos implementim të obligimeve e me marrje të obligimeve pa i lexuar marrëveshjet. Pra, marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit janë pranuar pa u lexuar. E kanë një qasje me iu “bishtëruar” obligimeve që i marrin”, deklaroi Arifi.
Më tej, Arifi tha se Kosova nuk e ka dhënë provimin në kuptim të asaj që do duhej ta nxirrte maksimumin nga ky proces, e që sipas tij, do të ishte shumë profitabil për Kosovën.