Frika se detajet që do t’i jepte rreth luftës së Kosovës, do të shfrytëzoheshin për procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të UCK-së, shtyu kryeministrin shqiptar të asaj kohe, Pandeli Majko, që të refuzonte të jepte detaje.
I pyetur nga gazetarja se cilat kanë qenë kanalet e komunikimit mes tij dhe strukturave të UÇK-së që vepronin në Kosovë, gjatë kohës kur ai ishte kryeministër i Shqipërisë, Majko nguroi të flasë.
Majko për herë të parë dha detaje nga vizita që ai së bashku me ish-Presidentët shqiptarë, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi realizuan në Hagë më 29 shtator të vitit 2022 për të takuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Ai zbuloi se tre Presidentët me shaka i thanë se mos e mbajnë edhe të në Gjykatën Speciale.
“Unë mund të flas, por problemi është që po zhvillohet një gjyq në Hagë. Po ka mundësi që duke bërë ndonjë deklaratë edhe mund të më thërrasin atje. Se kur isha bashkë me ish-Presidentët, shakaja që më bënin Presidentet ishte: ‘Pandeli se mos të mbajnë edhe ty këtu’. Kur fillonim ato kontrollet, se kemi kaluar nja tre palë kontrolle për të vajtur për të takuar Hashimin dhe shokët e vetë”.
Sipas deputetit socialist kjo shaka është pasqyrë e dhimbjes që përjeton kur sheh se ata që drejtuan Luftën Çlirimtare ose kanë qenë dënuar me burg, ose janë aktualisht pas hekurave duke pritur finalizimin e procesit gjyqësor.
“Kështu që sot ky sofistik i memories është edhe i dhimbshëm sepse ti shikon që të gjithë ata që kanë drejtuar Luftën Çlirimtare të popullit tënd, ose kanë shkuar dhe janë gjykuar dhe kanë bërë burg, ose janë aktualisht të burgosur dhe janë në proces gjyqësor. Është fati i shqiptarëve, që edhe kur fitojnë në histori duhet të dhurojnë një pjesë, më të rëndësishme ndoshta, nga pala e tyre, për ta bërë kurban”, tha Majko.
Majko ka rrëfyer edhe një episod që mund të kishte çuar në përplasje direkte të Shqipërisë me Maqedoninë.
Ai kujton se si në vitin ’99 kur Shkupi zyrtar bllokoi kufirin duke penguar për 1 javë eksodin e shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë, është detyruar që të kërcënojë direkt Maqedoninë.
“Ne patëm një debat shumë të ashpër me qeverinë e kohës së Shkupit dhe u detyruam të hapim kufijtë edhe me Maqedoninë dhe brenda një dite mund të kenë kaluar kufirin në drejtim të Korçës 30-35 mijë persona. Ka qenë situata në fillim kur qeveria e Maqedonisë bllokoi gjithë refugjatët që ishin në kufirin mes Kosovës dhe aty përreth një javë a 10 ditë, u bë një tmerr i vërtetë. Dhe ta quajmë kështu ne kërcënuam dhe kërcënuam me të drejtë. Pas disa ditësh ministri i Jashtëm i Greqisë dhe që u bë interlokutor, zoti Papandreu, së bashku me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë dhe përfaqësuesi i palës maqedonase kërkoi ndjesë zyrtare për atë që ndodhi në kufi”.
Majko zbulon se fqinjin lindor e kërcënuan drejtpërdrejtë duke i thënë se në rast bllokimi të mëtejshëm të kufirit, Shqipëria do t’u bëjë thirrje shqiptarëve në Maqedoni për t’u ngritur kundër shtetit dhe për të mbrojtur vëllezërit nga Kosova.
“Ose hapni kufirin ose…. do t’u bëjmë thirrje shqiptarëve të ngrihen dhe të mbrojnë vëllezërit e tyre. Dhe, nuk ka gjë më të paimagjinueshme që mund të ndodhte në atë moment, sepse shqiptarët e Maqedonisë janë shumë më të rezervuar për të ndërmarrë lëvizje të natyrave siç mund të ndërmarrin shqiptarët në Kosovë, por shpërthimin e kanë më të veçantë.”