Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ish-presidenti Trump fitues i zgjedhjeve paraprake në Ajova

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, fitoi zgjedhjet paraprake në Ajova të hënën në mbrëmje, në garën e parë të emërimit shtet pas shteti që Partia Republikane do të përdorë për të zgjedhur kandidatin e saj, që do të përballet me presidentin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Zoti Trump siguroi më shumë se gjysmën e votave, rreth 51 për qind, ndërsa guvernatori i Floridës Ron DeSantis u rendit i dyti me 21 për qind dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley, mënjeherë pas tij me 19 për qind.

“Kjo ishte një përvojë e jashtëzakonshme”, u tha ish presidenti Trump mbështetësve të tij në një fjalim në Des Moines. “Ata thanë, mirë, nëse fitoni me 12 për qind, kjo do të jetë një fitore e madhe. Do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur. Epo, unë mendoj se e kemi dyfishuar atë”.

Shifra që kandidatët do të shikojnë gjatë gjithë procesit të emërimit është numri i delegatëve, meqë një kandidat fiton emërimin nëse fiton shumicën, që është 1215 delegatë.

Rëndësia e Ajovas si gara e parë në kalendar është relativisht e vogël për sa i përket delegatëve, me zotin Trump që fitoi 20, zotin DeSantis që mori tetë dhe zonjë Haley me shtatë delegatë.

Tre kandidatët kryesorë shfaqën besim pas zgjedhjeve paraprake të së hënës, ndërsa bëhen gati për garën e radhës në New Hampshire javën e ardhshme dhe zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut në fund të muajit shkurt.

Zonja Haley e cilësoi veten si një “gjeneratë e re e udhëheqjes konservatore” ndërsa foli me mbështetësit e saj, ndërsa i vlerësoi rezultatet e së hënës dhe kalendarin e ardhshëm të zgjedhjeve paraprake si ngushtim të garës në mes saj dhe kandidatit kryesor Donald Trump.

“Kur shihni se sa mirë po ia dalim në New Hampshire, në Karolinën e Jugut dhe më gjerë, mund të them me siguri që sonte Ajova i bëri zgjedhjet paraprake republikane një garë mes dy personash”, tha zonja Haley.

Zoti DeSantis e përshkroi kandidaturën e tij si një “shpresë për të ardhmen e këtij vendi” ndërsa falënderoi mbështetësit, pavarësisht asaj që ai e shihte si një fushatë “të gjithë kundër nesh” në Ajova.

“Kemi shumë punë për të bërë, por mund t’ju them këtë, si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, unë do ta bëj punën për këtë vend”, tha zoti DeSantis.

Zgjedhjet paraprake të së hënës i dhanë fund fushatës së ndërmarrësit të bioteknologjisë Vivek Ramaswamy.

Pasi u rendit i katërti me 7.7 për qind të votave, zoti Ramaswamy njoftoi pezullimin e fushatës së tij për president dhe mbështetjen për zotin Trump.

Edhe para votimit në Ajova, mungesa e mbështetjes u dha fund disa fushatave të tjera republikane, duke përfshirë atë të zëvendëspresidentit të Trumpit, Mike Pence, ish-guvernatorit të Nju Xhersit, Chris Christie dhe senatorit të Karolinës së Jugut, Tim Scott.

Ndërsa gara është ngushtuar, republikanët nuk do të emërojnë zyrtarisht kandidatin presidencial deri në konventën e partisë së tyre në korrik, ndërsa demokratët pritet të emërojnë zotin Biden si kandidatin e tyre në një konventë në muajin gusht.

Shumica e analistëve politikë dhe anketave parashikojnë një tjetër garë midis dy politikanëve të moshuar, Donald Trump, 77 vjeç dhe Joe Biden, 81 vjeç.

Zoti Trump, përballet me 91 akuza, në 4 çështje të ndryshme. Disa nga rastet mund të hapen në muajt e ardhshëm, duke përfshirë një në Uashington i caktuar për datën 4 mars, nën akuzat për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Por akuzat luajtën pak rol në votimet e së hënës në Ajova.