Ish-ushtaraku, Hysen Gecaj, ka folur rreth raportit më të ri të të Grupit Ndërkombëtar të Krizave – ku thuhet se Kosova, Serbia dhe palët tjera të jashtme duhet të fokusohen në shmangie të rrezikut afatshkurtër të dhunës në veri të Kosovës dhe më pas të analizojnë mënyra për të garantuar stabilitet afatgjatë.
Sipas ish-ushtarakut, është hera e parë që i adresohet Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me çështjen e sigurisë në rajon e sidomos në veriun e Kosovës.
“Adresimet e më hershme janë dukur më të buta sikur nuk i kemi kuptuar sa duhet, nuk e kemi kuptuar mesazhin politik që nga ardhja nga grupet ndërkombëtare, por edhe nga diplomatët sepse Qeveria e Kosovës ka pasur një orientim të vetin dhe synim për zgjidhjen e këtyre çështjeve në veriun e vendit”, ka thënë Gecaj, në emisionin “Rreth e Rrotull”.
Gecaj ka thënë se nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka pasur informata ku janë studiuar mirë dhe për këtë arsye i janë dhënë Kosovës informata të shumta,
Sipas tij, është thënë qartë këtë herë në aspektin e sigurisë që mos të bëjë lëshime dhe gabime të cilat mund të na kushtojnë më pas.
“Politika jonë nuk ka qenë në gjendje ta kuptojë këtë mesazh, ndoshta edhe ka mundur të kuptojë, mirëpo ka menduar të përfitojë në planin e brendshëm në kuptim politik dhe të interesit të shtetit”, ka thënë tutje Gecaj.
Gecaj ka shtuar se diçka e tillë nuk ka funksionuar sepse nuk ka shkuar me interesat e fuqive të mëdha dhe të vetë Kosovës.
Në raportin me titull “Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërive të ndara”, dedikuar marrëdhënieve Kosovë – Serbi, me fokus në veriun e Kosovës dhe zhvillimet atje, Kosovës i sugjerohet të bashkëpunojë me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë [KFOR] “për të çmilitarizuar veriun”.
“Kosova duhet t’i tërheqë njësitet speciale të Policisë prej rajoneve me shumicë serbe dhe derisa ta bëjë atë, t’i dislokojë ato me masë dhe vetëm në koordinim me paqeruajtësit e KFOR-it, të cilët banorët e veriut i shohin si më të besueshëm, marrë parasysh përkushtimin e tyre për neutralitet”, thuhet ndër të tjera në raport.