Ish-zëvendësministër i Brendshëm, Valdet Hoxha, gjersa ka folur për vendimin e Departamentit të Thesarit Amerikan për të sanksionuar drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandër Vulin, e ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm dhe ka theksuar se ka një mesazh të fortë për liderët e tjerë të rajonit.
Ai ka theksuar se Departamenti i Thesarit Amerikan sanksionon kryesisht individët që janë të rrezikshëm për stabilitetin rajonal dhe kryejnë veprimtari të paligjshme si tregtia e armëve, drogave dhe gjërave të tjera të ndaluara, duke rrezikuar integritetin territorial të vendeve.
Hoxha gjithashtu beson se futja e Aleksandër Vulinit në listën e sanksioneve është një shpresë për rajonin dhe sinjal i qartë për liderët e tjerë të rajonit.
“Në tregim të shkurtër do të thotë shpresë për rajonin. Sepse departamenti i shtetit kryesisht këto sanksione i bazon tek niveli të cilat janë të rrezikshëm për stabilitetin qoftë rajonal apo më gjerë, bëjnë tregti të kundërligjshme, me armë drogë apo gjësende të ndryshme, që edhe në një mënyrë rrezikojnë integritetin territorial të vendeve”, ka deklaruar ai për emisionin FIVE.
Ai ka potencuar se këta liderë, të cilët pengojnë planin e SHBA-së dhe BE-së për të stabilizuar Evropën Juglindore, do të përfundojnë në listën e sanksioneve dhe do të hetohen dhe ndoshta dënohen përfundimisht.
“Në këtë theks po besoj që futja në listën e zezë nga Departamenti i Thesarit të Shtetit Amerikan, për zotin Vulin, është një ngrehje e veshit dhe një hapje e syve për gjithë liderët e tjerë të rajonit që ata që janë pengesë për planin e SHBA dhe BE-së për ta stabilizuar një herë e përgjithmonë Evropën Juglindore e konkretisht Ballkanin do të futën në atë listën e zezë, dhe do të hiqen nga politika për të pasuar pastaj mekanizmat kombëtare për t’i hetuar dhe pse jo për t’i dënuar ata përfundimisht”, ka deklaruar Hoxha.