Ish – zv.ministri i MPB-së, dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka folur për ish qeveritë e kaluara që sipas tij, kanë bërë veprime anti ligjore duke emëruar njerëz nëpër pozita pa merita.
Ai thotë se në pozita kyçe kanë emëruar njerëz të dëgjuar të tyre në mënyrë të kundërligjshme.
“Nëpër gjykata kemi neglizhim të kryerjes së punëve të përditshme, dhe është e kuptueshme tani që lëndët parashkruhen dhe kështu institucionet e shtetit kriminalizohen, e që tani një spastrim i atyre institucioneve të kriminalizuara pritet të ndodh, por do t’i ketë edhe pengesat e saja, sepse ata njerëz që punojnë në ato institucione kanë kalua mbi 20 vite që janë të inkuadruar në ato institucione, prandaj edhe pengesat e spastrimit do ta kenë llogarinë e saj, dhe tani është e kuptueshme se edhe zvarritja e qëllimshme e lëndëve serioze të krimit dhe korrupsionit, nëpër gjykatat e Kosovës, është forma më perfide, e pa hetueshme deri më tani dhe e pa ndëshkueshme të lidhjes së gjyqtarëve me nëntokën e krimit të organizuar”, thotë ai.
Sipas tij, është një mal me raste të nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit që po vazhdon me dekada.
“Kjo praktikë është veprim se dëshmia e pakontestueshme që flet se gjyqësori i kapur me dekada po vazhdon të ja bëjë avokatinë mbrojtëse krimit të organizuar, duke lidhur marrëveshje të fshehta dhe duke u korruptuar për të mos vepruar në zbatimin e ligjit. Vetëm pas denoncimit të pa ndërprerë në mediet e pavarura të kësaj praktike, së fundi KGJK ka filluar me disa masa simbolike për raste të caktuara kritike të lojës së gjyqtarëve me lëndët që ju janë ngarkuar”, shton tutje Tërnava.
Hajrullah Tërnava
Eksperti kërkon hetime të ashpra për mos veprimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kjo sipas tij, prokurorët e gjyqtarët paguajnë para të majme me marrëveshje sekrete që rastet të zvarriten dhe në fund të arrijnë afatin që të parashkruhen.
Prandaj ai shton se, duhet të hetohen të gjithë këta dhe të parandalojnë bashkëpunimim me krimin e organizuar.
“Tani është i domosdoshëm që ndëshkimi të kalon nga niveli i gjobitjes me masa materiale, në masa penale, që duhet të shkojnë deri në përjashtim të gjyqtarëve të instrumentalizuar nga krimi i organizuar, dhe kështu pa vonesë për të filluar një proces të hershëm të pastrimit në pritje të fuqizimit të tij edhe më dinamik me rastin e miratimit dhe fillimit të zbatimit të VETTING-ut”, thekson Tërnava.
Eksperti pohon se, pritja e fillimit te zbatimit të VETTING-ut, është një shpresë për qytetarët e shtetit tonë.
“Kjo është shpresë që njëherë e përgjithmonë ky vend të spastrohet nga krimet në përgjithësi, dhe nëse në realitet arrihet ky spastrim i Kosovës, shumë shpejt shtetit tonë do t’i hapen dyert drejtë shteteve të BE-së, dhe shumë të mira do të ndodhin për Kosovën, sikur që janë investime të rëndësishme dhe hapje të vendeve të punës për rinin e këtij vendi, edhe që është e kuptueshme se kupola e kriminalizuar që tani janë multi milionerë, do të bëjnë çmos që ta pengojnë jetësimin e këtij ligji”, përfundon Hajrullah Tërnava.
Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pret që Gjykata Kushtetuese t’i hapë rrugën sa më parë procesit të Vetting-ut.
Në një konferencë për media Haxhiu ka numëruar reformat në sistemin e drejtësisë.
“Kemi proceduar pa vonesa në çështjen e Vettingut në sistemin e drejtësisë, kemi marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias. Tani, siç jeni në dijeni, amendamentet kushtetuese për vettingun janë në Gjykatën Kushtetuese tash e 4 muaj, ndaj presim që Kushtetuesja sa më parë e sa më shpejt t’i hapë rrugën Vettingut në sistemin e drejtësisë…Po ashtu, ndër reformat kryesore ka qenë edhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes së cilës ne i kemi adresuar projektligjin për Byronë për konsifikim e pasurisë së pajustifikueshme, po ashtu kemi fuqizuar kapacitetet në Policinë e Kosovës dhe përmes ligjit për Prokurorinë Speciale që do trajtohet në lexim të dytë do të themelohet njësiti i përbashkët i Policisë për adresimin e veprave të korrupsionit të lartë.”, ka deklaruar Haxhiu.
Kjo e fundit ka përmendur edhe reformat në çështjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, projektligji i ri i të cilit u miratua në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën.
“Reforma e radhës është ajo në KPK. E prezantuam me dy opinione të Komisionit të Venecias, por fatkeqësisht ai projektligj ishte hedhur poshtë nga Kushtetuesja. Së pari, ulja e përbërjes së KPK-së, nga 13 anëtarë në 7 anëtarë permanentë. Anëtarët permanentë janë shtatë anëtarë prej të cilëve tre prokurorë, kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare dhe tre anëtarë joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre në mënyrë që të adresohen gjetjet nga Kushtetuesja…”, ka deklaruar Haxhiu.
Projektligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë.
Versioni i parë i këtij projektligji ishte shfuqizuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, propozimin e ri e ka cilësuar si reformë e cila synon të reformojë KPK-në.