Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ishte këtë të premte e fuar në Euronews Albania ku ka zbuluar detaje nga biseda e saj e shumëpërfolur me kriminelin Milan Radoiçiç.
Ajo tha se më ta ka zhvilluar vetëm një bisedë telefonike, në të cilën kanë folur për marrëveshjen e energjisë elektrike në veri të Kosovës, e cila në atë kohë ishte përgjegjësi e Radoiçiçit.
Lila tha gjithashtu se në kohën kur komunikoi me Milan Radoiçiçin, ky ishte nënkryetar i Listës Serbe dhe ishte në arrati. Pas bisedës telefonike, ajo tha se ishte Slavko Simic ai i cili në kuvendin e Kosovës lexoi një letër kërcënuese të dërguar nga Radoiçiç.
“Në fakt janë publikuar përgjimet e paautorizuara të bisedave nga kjo zyrë e kuvendit të Kosovës, kam pasur biseda me zëvendës kryetarin e kuvendit të Kosovës, dhe anëtarin e Listës Serbe, Slavko Simic dhe bisedat kanë qenë diskutime për procesin e votimit. Ka qenë minimumi i komunikimit në raport me prezencën e tyre në seanca dhe në votime, për arsye se Reublika e Kosovës parashikon që për ligjet dhe ndryshimet e kushtetutës duhet të kemi përveç 2/3 të shumicave duhet të jenë të pranishëm edhe 2/3 e pakicave.
Nga kjo bisedë nuk ka pasur asgjë jo korrekte apo jo ligjore. Një referencë e vetme është më herët, ajo nuk është publikuar, është insistimi i ish-deputetit Simic, që për çdo gjë në raport me ngjarjet në veri, kjo ka qenë për çështjen e zbatimit të marrëveshjes së energjisë, përgjegjës për të cilën ishte tashmë ish-nënkryetar i Listës Serbe, kryekrimineli Radoiçiç, i cili ka insistuar të flasim në telefon. Kjo ka ndodhur në maj të 2022 dhe ka qenë komunikimi i vetëm që kam pasur me këtë kriminel përmes telefonit.
Ai ka qenë në arrati në serbi dhe është deklaruar se po i bëhet i pamundur veprimi në Kosovë, ka pasur një urdhër-arrest ndërsa ka shprehur se ka interes për të mbrojtur komunitetin serb. Më pas ne kemi pasur disa përplasje në kuvendin e Kosovës me Listën Serbe dhe Simic ka lexuar një letër kërcënuese nga Radoiçiçi, për ne dhe për kryeministrin Kurti”, tha Mimoza Kusari Lila.