Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

ISIS merr përgjegjësinë për sulmin terrorist në Moskë

Shteti Islamik i Irakut në Siri, ISIS, ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin e përgjakshëm terrorist në Moskë, i cili ka lënë të paktën 40 persona të vrarë dhe me qindra të plagosur.

Ngjarja e ndodhur në periferi të Moskës, në një sallë të madhe koncertesh ku ndodheshin thuajse 6 mijë njerëz tërhoqi vëmendjen botërore dhe ngjalli dyshime të shumta mbi autorësinë, duke parë edhe situatën e luftës në të cilën Rusia ndodhet me Ukrainën.

Por, tashmë, ISIS-i i ka zhbërë ato dhe ka marrë përgjegjësinë e plotë të sulmit.

Kjo përputhet edhe me një paralajmërim të mëparshëm të Ambasadës Amerikane në Moskë, ku më 7 mars u tha se mund të kishte sulme terroriste në kryeqytetin rus dhe paralajmërimi kishte të bënte pikërisht me ISIS-in.

Grupi islamist e bëri njoftimin përmes platformës Telegram, ku morën përgjegjësinë e plotë për aktin.

Për Rusinë, që në fillim, nuk kishte dyshime se kishin të bënin me një akt terrorist.

Kështu kanë reaguar menjëherë autoritetet lidhur me ngjarjen, duke anuluar njëkohësisht edhe çdo grumbullim tjetër gjatë fundjavës në kryeqytetin rus.

Nga ajo sa dihet deri tani, katër persona të armatosur deri në dhëmbë, me veshje të specializuara ushtarake, kanë hyrë në një sallë koncertesh dhe kanë qëlluar kë iu dilte përpara, duke lënë të paktën 40 të vdekur nga sa raportohet deri tani dhe me qindra të plagosur.