Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ismaili: Kjo Qeveri e dështuar të jap llogari për bashkëpunimin me Radoiçiqin, zgjedhjet janë zgjidhje

 
   

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, zbardhjen e bisedës mes kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, ku ajo fyen Ismailin dhe akterë tjerë të PDK-së, e ka cilësuar si skandalin më të madh politik të pushtetit.

Ismaili në një konferencë për media tha se këto incizime dëshmojnë bashkëpunimin e fshehtë të Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe.

“Dëshmohet qe ky pushtet ka komunikuar dhe është koordinuar me një njeri të kërkuar nga Policia e Kosovës dhe i ndodhur ne listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, Millan Radojçiq. Dëshmohet bashkëpunimi i fshehtë i Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe, ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se s’kanë as koalicion e as bashkëpunim. Dëshmohet edhe një herë mendësia e këtij pushteti, që kurdo në çfarëdo rasti përqesh dhe denigron veprën e UÇK-së, por kësaj here para përfaqësuesit të Millan Radojçiqit, duke u ankuar për veteranët dhe kërkesat e tyre. Ky është skandali më i madh politik i këtij pushteti. Ky bashkëpunim rreth çështjeve me rëndësi – siç është energjia në veri, zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, votimi kundër tërheqjes së parave të Trustit, të gjitha janë ose në koordinim me Millan Radojçiqin, ose me bekimin e tij”, theksoi Ismaili.

Ismaili kërkoi që kryeministri Albin Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila të japin llogari para qytetarëve dhe para drejtësisë për këto deklarata.

“Bashkëpunimi me një parti që përfaqëson qytetarët serbë në Kuvendin e Kosovës, në vete nuk është problem. Por, duke e mbajtur të fshehtë këtë bashkëpunim, e duke i gënjyer qytetarët se asnjëherë nuk kanë pasur bashkëpunim me ta, është një tjetër hipokrizi e pushtetit aktual. Kryeministri Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila kanë obligim që të japin llogari për tërë këtë situatë. Tendenca për ta normalizuar koordinimin dhe komunikimin me Millan Radojçiq veçse e thellon dhe e bën bashkëpjesëmarrëse tërë Qeverinë në këtë skandal. Millan Radojçiq është një person i kërkuar nga Policia e Kosovës, si për Mimoza Kusarin, edhe për Albin Kurtin, dhe nuk mund ta trajtojmë këtë bashkëpunim si diçka të zakonshme e normale. Propaganda e shfajësimi nuk janë e vërteta. E vërteta është se biseda me Radojçiqin ka ndodhur, është pranuar nga Mimoza Kusari-Lila, dhe çdo gjë përpos llogaridhënies para qytetarëve dhe drejtësisë është tentim për të vazhduar fshehjen e së vërtetës”, tha ai.

PDK e konsideron të pamoralshme dhe të pafalshme njollosjen e veterinarëve të UÇK-së nga Mimoza Kusari-Lila përballë përfaqësuesve të Listës Serbe.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është historia e lavdishme e kombit tonë dhe secili ushtar e ushtare meriton vlerësim të përjetshëm nga gjithë ne. Rrëfimi i saj para përfaqësuesit të Millan Radojçiqit për gjendjen dhe situatën me veteranët e UÇK-së, është i pafalshëm dhe denigrues për secilin qytetar.

Ismaili ripërsëriti kërkesën e PDK-së për zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza dhe stagnimi, që ka prodhuar Qeveria Kurti.

“Ky skandal nuk është problemi i vetëm i këtij pushteti. Stagnimi në ekonomi, shëndetësi, arsim, çmimet e larta dhe migrimi i vazhdueshëm, e izolimi i Kosovës, janë dështime të vazhdueshme të kësaj Qeverie. Dalja nga kjo krize dhe ky stagnim – prodhuar nga kjo Qeveri – ka vetëm një rrugë: zgjedhjet, duke i dhënë mundësinë qytetarëve që me vote ta ndryshojnë për të mirë jetën në Kosovë”, tha ai.