Drejtori i gazetës FOL online, Jeton Ismaili, deklaroi se te shqiptarët në Luginë ka një skepticizëm që pozita e tyre mund të ndryshojë.
Megjithatë, siç u shpreh ai është një emërues i përbashkët i qytetarëve atje me të drejtë vote që megjithatë shqiptarët duhet të përfaqësohen në parlamentin republikan në Beograd dhe se një zë atje është më se i domosdoshëm.
“Mbizotëron një opinion i tillë që një zë i fuqishëm, apo 2-3 zëra që do të përktheheshin me deputetë, do të ishin të mirëseardhura”, deklaroi Ismaili.
Tutje ai shtoi se për shkak se shqiptarët garojnë me dy lista, shpresat janë minimale që të ketë dy apo tre deputetë.
“Shpresojmë se votuesi shqiptar ka marrë mësim në zgjedhjet e kaluara dhe ditën e votimit duhet marrë shumë seriozisht që t’i mësyjë vendvotimeve në mënyrë që njëra nga listat të sigurojë deputetë në parlament”, u shpreh Jeton Ismaili.