Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Ismetin e vranë ‘komandantët’ me urdhër ‘Shtabit të Rognerit’”/ 23 vjet heshtje e padrejtësi institucionale për vrasjen e Ismet Rracit

 
   

Vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë për motive politike pas luftës ndaj anëtarëve të LDK-së ende nuk janë zbardhur.

Ato kanë mbetur një mister i pazgjidhur pse në vazhdimësi është kërkuar hapur zbardhja e tyre.

Një nga rastet është vrasja e ish-kryetarit të Klinës, Ismet Rraci, më datën 23 prill të vitit 2001.

Ismet Rraci, njëherë kryetar i degës së LDK-së dhe gjithashtu kryetar i Komunës së Klinës, i cili gjithashtu ishte themelues i LDK-së, u vra pranë banesës së tij, ndërsa ishte duke u nisur për në punë, nga persona që ende nuk janë identifikuar.

Latifi: Moszbulimi i krimeve dhe aktorëve të tyre është i pakuptimtë dhe zhgënjyes

Analisti Haki Latifi ka thënë se vrasja e Ismet Rracit ishte pabesi dhe që tronditi gjithë Kosovën.

Sipas tij, mos zbulimi i kriminelëve të krimit tregon pafuqinë e drejtësisë institucionale shtetërore për tu përballur me kriminelët dhe vënia e tyre para drejtësisë.

 Image
 Haki Latifi 
 

Për fat të keq 23 vjet më parë, vetëm dy vjet pas çlirimit, më 23 prill 2001 derisa po shkonte në punë u vra pabesisht, Atdhetari dhe Kryetari i Klinës Ismet Rraci. Kjo vrasje përveç se ishte e rëndë, tronditi familjen dhe gjithë Kosovën, ishte vrasje e vet demokracisë. Ndërkaq jo vetëm Klina, por e gjithë Kosova humbi një veprimtar të palodhur, një intelektual e atdhetar të shquar, i cili në kohët më të vështira i doli zot atdheut e popullit të tij.

Njëherit mos zbulimi i kriminelëve të krimit tregon pafuqinë e drejtësisë institucionale shtetërore për tu përballur me kriminelët dhe vënia e tyre para drejtësisë.

Me vrasjen e ish kryetarit të Degës së LDK-së në Klinë dhe kryetarit të KK të Klinës Ismet Rracit ishte vrarë demokracia, ishte vrarë besimi i popullit, vota e tij dhe kjo domosdo se mbetet nga veprat me makabre dhe më qyqare të armiqve të shqiptarëve dhe vet Kosovës. Ndërkaq, jeta dhe vepra, fytyra patriotike e Ismet Rracit një fanar i pashuar i patriotizmit dhe sakrificës, i përkushtimit dhe kontributit, i vetëdijes së lartë prej intelektuali e burri që nuk kurseu asgjë asnjëherë për interesat madhore të popullit që i takoi do të kujtohet me pietet dhe krenari tek familja, qytetarët që i dhanë besimin për t’i udhëhequr me dinjitet si dhe bashkëpunëtorët që e përkrahën në çdo hap për të punuar për të mirë vendit dhe në shërbim të qytetarëve. Me kontributin e tij Ai ngriti lart edhe krenarinë e qytetarëve të Klinës dhe mbarë Kosovës, i cili vërtet duhet të krenohet me bijtë e devotshëm si Ismet Rraci”, deklaron ai.

Tutje, ai thekson se  mos-zbulimi i vrasjeve është i pakuptimtë dhe zhgënjyes, andaj edhe këto vrasje që po mbesin enigmatike “ndonëse faktikisht motivet e kriminelëve dhe krimeve si vrasja e Ismet Rracit për opinionin qytetar shqiptar janë të mirënjohura”.

Mos zbulimi i krimeve dhe aktorëve të tyre apo urdhërdhënësve të tyre gjerë më sot në një shoqëri dhe nga institucionet shtetërore është i pakuptimtë dhe zhgënjyes! Dhe, pa zbulimin e aktorëve, juridikisht mbesin enigmatike edhe motivet, ndonëse faktikisht motivet e kriminelëve dhe krimeve si vrasja e Ismet Rracit për opinionin qytetar shqiptar janë të mirënjohura.

Sa i përket Gjykatës Speciale, me të drejtë familjarët dhe qytetarët e Kosovës kërkojnë që t`i hetonte dhe trajtonte jo vetëm këtë rast, por edhe të gjitha krimet dhe vrasjet me motive politike, si dhe ndriçimin e këtyre rasteve për t’i qetësuar shpirtrat e familjarëve në të cilën dhe këta të fundit dhe qytetarët e Kosovës ende këtë e presin dhe shpresojnë. Akte të tilla janë bërë nga armiqtë e Kosovës, ata që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe ata që deshën dhe duan kthimin e Serbisë në Kosovë.

Ish kryetari i Komunës së Klinës Ismet Rraci ishte njeri i veprimtarisë së paepur kombëtare, njeri i vlerave kombëtare e politike dhe autoritetit të lartë, bartës i besimit që e kishte fituar nga populli, njeriu që kishte fituar besimin më të madh nga elektorati, të shprehur formalo­juridikisht në zgjedhjet e para demokratike e të lira si dhe ishte bashkëpunëtor i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

Lavdi dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e atdhetarit Ismet Rracit!”, përfundon ai për “Bota sot”.

Barjaj: Ismetin e vrau “krahu i luftës”, e vranë “komandantët” me urdhër Shtabit të Rognerit

 Image
 Fatmir Bajraj 
 

Fatmir Bajraj thotë se Rracin e vrau “krahu i luftës”, e vranë “komandantët” me urdhër Shtabit të Rognerit sepse nuk mund e gëlltisnin autoritetin e tij t’ pakontestueshëm tek qytetarët e Klinës dhe të gjithë Kosovës.

“Për veprimtarinë atdhetare dhe përkushtimin e tij të palëkundur që të mos ndalet deri në frymën e fundit në kauzën e lirisë dhe aspiratës kombëtare, intelektuali i guximshëm dhe sypatrembur, ishte kërcënuar disa herë nga “komandantët”, vartës të “Shtabit të Rognerit” para se kërcënimet e tyre të bëhen realitet në 24 prillin e kobshëm të vitit 2001, në hyrje të banesës së tij.

Ismetin e vrau “krahu i luftës”, e vranë “komandantët” me urdhër Shtabit të Rognerit, i cili përmes “QPK”, tanimë kishte zbritur në Prishtinë për ta “gëzuar” çlirimin e Kosovës si kapedanë dhe pronarë të saj, si padronë, si zotëri të vërtetë të asaj lirie të larë në gjakun e shqiptarëve ndër breza.

Ismetin e vranë, sepse nuk mund e gëlltisnin autoritetin e tij të pakontestueshëm tek qytetarët e Klinës dhe të gjithë Kosovës, nuk pajtoheshin me fitoren e Ismetit në zgjedhjet e para vendore në Klinën e tij dhe në Kosovën e lirë për të cilën Ismeti kishte punuar gjithë jetën.

Ismet Rracin e atentatuan, sepse ishin tmerruar “rogneristët” nga fitorja e tij bindëse dhe mbështetja plebishtare nga qytetarët e Klinës në Kosovën e çliruar, kjo fitore e Ismetit i kishte tërbuar dhe si “zgjidhje”, zgjodhën atentatin qyqar dhe të ligë”, thotë Fatmir Bajraj.

Tutje, ai vazhdon duke thënë se ky atentat i bërë ndaj Rracit ishte nga e njëjta “dorë”, e nga i njëjti “skenar”, sikur në rastin e Enverit, Xhemës, Shabanit, Smajlit dhe shumë tjerëve.

“Atentati ndaj Ismet Racit, njërit nga themeluesit e LDK-së dhe bashkëpunëtorët besnik të presidentit Rugova, ishte nga e njëjta “dorë”, nga i njëjti “skenar” dhe nga e njëjta kuzhinë & kupollë e urdhërdhëniës, sikur në rastin e Enverit, Xhemës, Shabanit, Smajlit dhe shumë tjerëve.

Të gjitha këto vrasje makabre janë krye e orkestrue nga elemente kriminale të SHIK-ut, të instaluara e të sofistikuara me kohë në SHPK, struktura tjera të sigurisë dhe deri të organet e hetuesisë, ndjekjes dhe të akuzës.

Kjo piramidë kriminale, anti-kombëtare dhe anti-shtetërore, për fatin e ligë të atentatuarëve dhe të Kosovës, ka funksionuar sikur sahati, sepse është planifikuar e koordinuar me saktësi laserike, duke i lënë në gjumë të gjithë mekanizmat e sigurisë e deri të gjyqësori.

Dhe këtë fakt, e provon masëmiri mosbardhja e asnjë rasti të vetëm, dhe mosndëshkimi i asnjë krimineli që gati çerekshekulli.

Meqë, nuk thyhej politikisht Ati themelues i shtetit të Kosovës, presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, atëherë “krahu i luftës” kishte zgjedhur që ta dobësonte karizmën dhe autoritetin e tij të pakontestueshëm, duke i “prerë krahët”, pra duke ia vra e eliminuar bashkëpunëtorët besnik dhe veprimtarët me autoritet të pakontestueshëm, siç ishin: Ahmet Krasniqi, Enver Maloku, Shaban Manaj, Xhemail Mustafa, Smajl Hajdaraj, e kështu me qindra, deri në shkuarjen në amshim të presidentit Rugova.

“Komandantet” që orkestruan dhe menaxhuan atentatin mbi Ismetin, erdhën më pas në karrigen e tij, në karrigen e pushtetit, kryetar komune, meqë tani e kishin asgjësuar “pengesën” e vetme, heroin e Dardanisë, Ismet Racin”, shprehet ai.

Derisa për zbulimet e gjitha vrajseve, Barjaj thotë se Gjykata Speciale, shihet si shpresa e fundit për familjarët e të ekzekutuarve të LDK-së, duke thënë se sistemi vendor i drejtësisë, ka dështuar plotësisht, përfshirë edhe atë të instaluara ndërkombëtarisht në Kosovë (UNMIK & EULEX),

“Kush është dhe ku janë “krahu i luftës”, ku fshihen vrasësit dhe urdhërdhënësit, pse drejtësia nuk i zbardhë vrasjet politike, tani e gati  çerekshekulli pas çlirimit të Kosovës ?

Përveç LDK-së, si palë e dëmtuar rëndë, të tjerët janë sot edhe në pushtet edhe në opozitë, madje sa i përket vrasjeve politike, pra të atentatuarve të LDK-së për pushtet, PAN dhe LVV, janë NJË, janë sikur mishi e thoni, madje në garë se cili më shumë është kundër LDK-së dhe personalitetit të atit themelues të shtetit të Kosovë, Dr Ibrahim Rugova.

Gjykata Speciale, shpresa e fundit për familjarët e të ekzekutuarve të LDK-së, pa hak pa gjyq dhe pas shpine, me atentate makabre!

Pas dështimit absolut të sistemit vendor të Drejtësisë, e pse jo edhe të atyre të instaluara ndërkombëtare në Kosovë (UNMIK & EULEX), i pari sepse ishte i kapur nga kapo-bandat e “krahut të luftës”, dhe nuk kanë patur guxim të lëvizin asnjë “guri”, dhe të huajt për faktin se ishin dhe mbetën të interesuar në ruajtjen e “stabilitetit”, edhe pse në dëm të viktimave, sytë dhe shpresat e familjarëve të dëmtuar janë kah Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Si shoqëri dhe jo vetëm si institucione e pushtete të ndara  kushtetuese, me theks-gjyqësori, kemi dështuar që të promovojmë vlera të shoqërive moderne euro-perëndimore, ngase nuk ishim të denjë në refuzimin katogorik të kryerjes së krimeve makabre, siç ishin atentatet politike, por me sjelljen tonë të nihilizmit dhe inferioritetit provuam se jemi shoqëri e papjekur dhe me integritet e dinjitet që le shumë për të dëshiruar.

Merreni me mend, me mendësinë tonë toksike, sot me krenari marrim në mbrojtje të akuzuarit potencial për vrasjet politike, përfshi vrasjen e Ismet Racit, që gjendën në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale, dhe i fyejmë, shajmë dhe i linçojmë të dëmtuarit, ata familjarë që kërkojnë drejtësi për të dashurit e tyre!?

Tri palët përgjegjëse brenda shoqërisë sonë, si shtet dhe komb, për “fatin” e viktimave dhe proceseve që nuk ndoqën rrugën e duhur si konsekuencë:

-Urdhërdhënësit dhe autorët e akteve makabre të atentateve janë përgjegjësit kryesor për plagët, vuajtjet dhe humbjet që i shkaktuan vendit dhe familjeve të dëmtuara nga vrasjet politike, pra për motive pushteti dhe jo vetëm!

-Sistemi i Drejtësisë, i cili nuk kreu misionin historik dhe funksionin kushtetues në ndjekjen dhe dënimin e autorëve të krimeve, dhe;

-Klasa politike dhe shoqëria civile e cila heshti në mënyrë absurde kryerjen e krimeve dhe mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë.

Kështu ne, me apo pa vetëdije, me heshtjen tonë absurde si shoqëri, e herë pas herë, edhe duke marrë n’ mbrojtje dhe amnestuar kriminelët, po i ri-vrasim të atentatuarit për motive meskine-pushteti, për çfarë do të na mallkon gjaku i tyre dhe loti fëmijëve të tyre të mbetur jetimë

Ata që vrasin, janë kriminelë, sikurse edhe ata që ndihmojnë dhe amnistojnë krimin dhe kriminelët.

Ata që heshtin krimet, le t’ mos ndehën komod…

Mallkimi rëntë mbi kriminelët që vranë Ismet Racin”, përfundon ai për “Bota sot”.