Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi të dielën se qeveria e tij ka votuar njëzëri për mbylljen e zyrave të Al-Jazeeras në Izrael.
Netanyahu, duke iu referuar medies në fjalë, tha se po e largojnë zëdhënësin e Hamasit nga vendi.
Ndërkohë shefi i zyrës së Al-Jazeeras në Izrael, Valid al Omari lajmin për mbylljen e transmetuesit i cili është në pronësi të Katarit e quajti të rrezikshëm, ndërsa tha se vendimi erdhi për shkak se Izraeli nuk do që të dihet se çfarë po ndodhë në Gaza.
Ka më shumë se gjashtë muaj që nga këto zyre televizive në Ramallah, Valid al Omari ka transmetuar në publik të rejat nga lufta në Gaza.
Por, të dielën, shefi i televizionit të Al- Jazeeras për Izraelin dhe territoret palestineze mori lajmin se Izraeli ka urdhëruar mbylljen e transmetuesit në të cilin ai punon, e i cili është në pronësi të Katarit.
Validi, këtë vendim e quajti si të rrezikshëm, ndërsa tha se arsyeja e Izraelit për këtë është se ata nuk duan që të tjerët të dinë se cfarë po ndodhë në Gaza, Izrael e në Bregun Perëndimor.
“Ky është një vendim shumë i rrezikshëm kundër Al Jazeera-s dhe kundër medieve ndërkombëtare. Sepse është e qartë se ata duan të pengojnë që të tjerët të dinë se çfarë po ndodh në këtë luftë, në Gaza, brenda Izraelit, në Bregun Perëndimor”, thotë ai.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se qeveria e tij ka votuar njëzëri për mbylljen e zyrave të Al Jazeera në Izrael pas tensioneve në rritje.
Para votimit, Netanyahu tha se ka ardhur koha për ta hequr nga Izraeli zëdhënësin e Hamasit.
“Gazetarët e Al-Jazeera dëmtuan sigurinë e Izraelit dhe nxitën kundër ushtarëve tanë. Është koha për të hequr zëdhënësin e Hamasit nga vendi ynë”, tha kryeministri izraelit.
Sipas një deklarate nga zyra e Netanyahut, vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Ai mund të përfshijë mbylljen e zyrave të kanalit në Izrael, konfiskimin e pajisjeve të transmetimit, parandalimin e transmetimit të raporteve të kanalit dhe bllokimin e faqeve të internetit të tij, ndër masa të tjera, thuhet në deklaratë.
Mediat izraelite thanë se votimi i lejon Izraelit të bllokojë kanalin që të funksionojë në vend për 45 ditë, sipas vendimit.
Ky veprim i jashtëzakonshëm besohet të jetë hera e parë që Izraeli mbyll ndonjëherë një media të huaj lajmesh, megjithëse qeveria e tij ka ndërmarrë veprime kundër gazetarëve individualë në të kaluarën.
Vendimi kërcënon të rrisë tensionet me Katarin në një kohë kur qeveria e Dohas po luan një rol kyç në përpjekjet ndërmjetësuese për të ndalur luftën në Gaza, së bashku me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara./Tëvë1/