Ministri izraelit i Energjisë, Israel Katz tha se ka udhëzuar autoritetet që të ndërpresin furnizimin me ujë në Rripin e Gazës.
“Të gjitha tubacionet e furnizimit me ujë nga Izraeli në Rripin e Gazës janë shkëputur”, citoi televizioni izraelit “Channel 12” të ketë thënë Katz, përcjell Anadolu.
Ai deklaroi se furnizimet me energji elektrike dhe karburant janë ndërprerë për Gazën dy ditë më parë.
Masa e fundit vjen pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant vendosi të hënën të zbatojë rrethim “të plotë” në Gaza, duke njoftuar ndërprerje të plotë të energjisë elektrike, ushqimit, ujit dhe karburantit për Rripin e Gazës.
Që nga e shtuna, kur nisi konflikti i fundit midis Hamasit dhe forcave izraelite, Izraeli ka mbyllur të gjitha vendkalimet me Rripin e Gazës në të dy drejtimet.