Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Izraeli: Nuk ka rrymë, ujë, apo karburant për Gazën derisa pengjet të lirohen

Ministri i Energjisë i Izraelit, Israel Katz, thotë se rrethimi i Gazës nuk do të përfundojë derisa pengjet izraelite të lirohen.

Në një postim në mediat sociale, Katz tha se asnjë “kyç elektrik nuk do të ndizet, asnjë hidrant uji nuk do të hapet dhe asnjë kamion me karburant nuk do të hyjë” derisa “të rrëmbyerit” të lirohen, raporton BBC

Izraeli ndaloi furnizimet për Rripin e Gazës pas sulmeve të Hamasit të shtunën, raporton Al Jazeera.

Hamasi besohet se ka kapur dhjetëra izraelitë, të huaj dhe shtetas të dyfishtë të shtunën gjatë sulmit më të madh të grupit të armatosur ndaj Izraelit në dekada.

Të mërkurën mbrëma, Brigadat al-Qassam, krahu i armatosur i Hamasit, publikuan një video që tregonte lirimin e një robëreje femër dhe dy fëmijëve . Izraeli e hodhi poshtë videon si “teatrale” që synonte të largonte vëmendjen nga “fytyra e vërtetë e grupit si një organizatë barbare”.

Izraeli është zotuar të zhdukë Hamasin dhe ka njoftuar një “rrethim të plotë” në Rripin e Gazës në hakmarrje për sulmin e së shtunës, për të cilin zyrtarët izraelitë thonë se vrau më shumë se 1,300 njerëz dhe plagosi rreth 3,000.

Fushata ajrore e Izraelit në enklavë ka vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe ka plagosur më shumë se 5000 të tjerë, sipas autoriteteve palestineze.

Stacioni i vetëm elektrik i Gazës është fikur dhe spitaleve me kapacitet të tepërt po mbarojnë karburantet.

“Mjerimi njerëzor i shkaktuar nga ky përshkallëzim është i neveritshëm dhe u bëj thirrje palëve të zvogëlojnë vuajtjet e civilëve”, tha të enjten drejtori rajonal i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Fabrizio Carboni.