Ushtria izraelite vendosi forca shtesë më 21 qershor në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe u përgatit për të shkatërruar shtëpitë e dy personave të armatosur palestinezë që vranë katër izraelitë.
Sulmi vdekjeprurës në vendbanimin Eli në Bregun Perëndimor u krye nga dy militantë palestinezë, të cilët hapën zjarr drejt një restoranti të një stacioni karburanti.
Mediat izraelite i identifikuan katër të vrarët si Harel Masood, 21-vjeçar, Ofer Fayerman, 64-vjeçar, dhe Elisha Anteman, 18-vjeçar, dhe Nahman-Shmuel Mordoff, 17-vjeçar. Një civil izraelit vrau një sulmues në vendin e ngjarjes, përderisa forcat izraelite e ndoqën dhe e vranë sulmuesin e dytë që kishte tentuar të ikte
Të shtënat erdhën një ditë pasi shtatë palestinezë u vranë në një betejë njëditore kundër trupave izraelite në bastionin militant të Jeninit. Përshkallëzimi i dhunës është shndërruar në një test për qeverinë e djathtë ekstreme të Izraelit dhe ka nxitur thirrje për operacion të gjerë ushtarak në Bregun Perëndimor.
Ushtria tha se po shtonte praninë e trupave të saj në Bregun Perëndimor. Të mërkurën në mëngjes, ushtria tha se trupat i arrestuan tre të dyshuar në fshatin palestinez Urif në lidhje me sulmin dhe gjetën vendndodhjen e shtëpive të dy personave të armatosur, para prishjes së mundshme të këtyre shtëpive
Izraeli shkatërron shtëpitë e sulmuesve palestinezë si pjesë e një politike që thotë se synon t’i pengojë të tjerët, por kritikët ankohen se kjo taktikë është “dënim kolektiv”.
Hamasi nuk mori zyrtarisht përgjegjësi për sulmin, megjithëse identifikoi si anëtarë të saj dy personat e armatosur – Mohannad Faleh, 26 vjeç, i cili u vra nga një civil në vendngjarje, dhe Khaled Sabah, 24 vjeç, i cili u vra nga ushtria ndërsa ikte.
Pas sulmit të së martës, kolonët izraelitë sulmuan pronat palestineze në fshatrat përreth, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Të paktën pesë palestinezë u plagosën në sulmet e kolonëve izraelitë, njoftoi radioja e ushtrisë izraelite.
Të shtënat e së martës pasuan një përleshje masive me armë midis militantëve palestinezë dhe trupave izraelite në kampin verior të refugjatëve Jenin një ditë më parë. Në atë përleshje u vranë shtatë palestinezë dhe më shumë se 90 të tjerë u plagosën. Të mërkurën, numri i të vdekurve nga bastisja u rrit në shtatë kur 15-vjeçari Sadeel Naghniyeh vdiq nga plagët e, thanë zyrtarët palestinezë shëndetësorë.
Tetë ushtarë izraelitë u plagosën gjithashtu gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Të shtënat vdekjeprurëse të së martës ishin të fundit në një varg të gjatë dhune në këtë rajon gjatë vitit të fundit. Të paktën 130 palestinezë dhe 24 izraelitë janë vrarë deri më tani këtë vit, sipas një raporti nga Associated Press.
Izraeli ka organizuar bastisje pothuajse çdo natë në Bregun Perëndimor në përgjigje ndaj një vargu sulmesh vdekjeprurëse palestineze që synonin civilët izraelitë në fillim të vitit 2022. Izraeli thotë se shumica e palestinezëve të vrarë ishin militantë, por të vrarë kanë mbetur edhe të rinj që gjuanin gurë gjatë protestave kundër inkursioneve dhe disa të tjerë që nuk përfshiheshin në konfrontime.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, së bashku me Jerusalemin lindor dhe Rripin e Gazës, në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Palestinezët i kërkojnë ato territore për një shtet të pavarur të ardhshëm./rel