Izraeli ka thënë të premten se do t’i hapë dy pika kufitare me Gazën, për ta mundësuar rritjen e hyrjes së ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.
Pikëkalimi Erez Gate në veri të Gazës do të rihapet përkohësisht për herë të parë prej se filloi lufta. Do të hapet edhe Porti i Ashdodit për të lejuar futjen e ndihmave humanitare.
Ndërsa, do të lejohet futja e më shumë ndihmave humanitare nga Jordania përmes pikëkalimit Kerem Shalim.
Gjatë një takimi të kabinetit të sigurisë të enjten vonë u miratuan hapat e menjëhershëm për rritjen e ndihmave humanitare për popullsinë civile në Rripin e Gazës, tha zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Vendimi i Qeverisë izraelite vjen pak orë pas një bisedime telefonike mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan, Joe Biden.
Gjatë bisedës me Netanyahun të enjten vonë, Biden kërkoi hapa “specifikë dhe konkretë” për ta zbutur krizën humanitare në Gazë, duke thënë se ndihma amerikane për Izraelin do të kushtëzohet nëse ky i fundit në përgjigjet.
Trysnia e lartë mbi Izraelin u bë pas vrasjes së shtatë punëtorëve të bamirësisë nga një sulm izraelit të hënën mbrëma, i cili nxiti zemërim global për krizën e vazhdueshme të dërgimit të ndihmave në enklavën e rrethuar palestineze.
Punëtorët e grupit të kuzhinierit të famshëm Jose Andres u vranë kur veturat e tyre u goditën pak pasi ishin shkarkuar 100 tonë ushqim të sjellë në Gazë përmes detit.
Ushtria izraelite shprehu “pikëllim të thellë” për incidentin dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e cilësoi sulmin si të paqëllimshëm./rel