Dosja e inceneratorëve duket se do të tronditë shumë politikanë dhe zyrtarët të lartë në Shqipëri, të përfshirë në këtë megaaferë korruptive.
Ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka dalë ditën e djeshme para GJKKO-së dhe për herë të parë ka bërë disa akuza, të cilat nëse rezultojnë të vërteta mund të çojnë në burg ish-ministra të njohur. Avokati i tij, në pjesën e parë të mbrojtjes, është përqendruar tek akuza e shpërdorimit të detyrës, duke ia kaluar përgjegjësinë Këshillit të Ministrave.
Ai pretendoi se në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, i është kërkuar mendim katër ministrive, Financave, Ekonomisë dhe Energjitikës, Mjedisit dhe Drejtësisë. “Gjatë kohës që janë bërë negociata me kompanitë e inceneratorit klienti im ka qenë jashtë vendit.
Sa i përket procedurës së bërë me negocim pa shpallje, është bërë në kuadër të emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Elbasanit”, tha përfaqësuesi ligjor i ish-ministrit. Pala mbrojtëse e Lefter Kokës u shpreh se “Është e qartë si kristali se ish ministri nuk ka bërë shkelje”.
“Në komisionet e ngritura, nuk ishte e përfshirë vetëm Ministria e Mjedisit, por kishte përfaqësues edhe nga ministritë e tjera. Në lidhje me këtë procedim janë pyetur 87 persona, janë vënë 33 numra në përgjim, janë sekuestruar dy pajisje pc brenda kantinës së verës, nga të cilat nuk ka dalë asnjë provë direkte që e implikon z. Koka me akuzat”, tha avokati.
Ja emrat e anëtarëve të kabinetit që rrezikon burgun
Gazeta “SOT” ka parë emrat e ministrave që drejtonin në periudhën që foli dje Lefter Koka, të cilët i akuzoi që janë përfshirë dhe kanë ngjyer gishtin në gjellën e inceneratorëve. Bëhet fjalë për Ylli Manjanin, i cili në atë kohë ka qenë ministër i Drejtësisë, por edhe Petrit Vasili, i cili mori postin e tij pas shkarkimit nga detyra.
Gjithashtu rrezikon dhe Sokol Dervishaj, ministri i Transporteve, Shkëlqim Cani, ministër i Financave, Damian Gjiknur, ministri i Energjitikës dhe Arben Ahmetaj, ministri i Ekonomisë. Për këtë të fundit, avokati i Lefter Kokës ka ngritur akuza të forta, teksa u shpreh se klienti i tij nuk ka pasur lidhje me Klodian Zoton. I vetmi që ka pasur lidhje ka qenë ish Ministri Arben Ahmetaj. Ai madje shtoi se Ahmetaj ka pësuar aksident në Maqedoni me Zoton, ka transaksione në një vilë, si edhe disa emaile, ku duket qartë kush është personi që ka komunikuar dhe ka bashkëpunuar me administratorin e Inceneratorit të Elbasanit.
Gjithashtu një tjetër ministre që rrezikon burgun është dhe Frida Krifca. Në kuadër të hetimit për inceneratorët, ka dalë në skenë edhe emri i ministres aktuale të Bujtësisë, Frida Krifca, e cila gjatë kohës që ishte drejtuese e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ka dhënë 2.2 milionë euro për dy biznesmenë të lidhur me aferën e inceneratorëve, të cilët do të ndërtonin sëra.
Pra, nisur nga këto detaje, ku në skenë ka dalë edhe emri i Krifcës, por edhe nga stoicizmi dhe këmbëngulja e SPAK për të hetuar me themel aferën e inceratorëve, duket qartë se shumë shpejt do të shohim të tjetër zyrtarë dhe persona me pranga në duar.
Avokati kërkoi lirimin e Lefter Kokës
Avokati Julian Mërtiri deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm për 3 akuzat, shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale. Mërtiri deklaroi se Koka thjesht ka zbatuar vendimin e këshillit të ministrave.
Ka qenë komisioni që është ngritur me përfaqësues të shumë ministrive dhe pushtetit lokal që ka vendosur për dhënien e koncesionit, ndërsa Koka ka firmosur thjesht vendimin e qeverisë. Sipas avokatit nuk ka asnjë prove që implikon klientin e tij në përfitime te paligjshme për favorizim në dhënien e koncesionit.
Në mbrojtjen me më shumë se 100 faqe Mërtiri kërkoi lirimin e Kokës për shkak të moshës, për arsye se ka probleme të shëndetit, është baba i 3 fëmijëve dhe mbahet prej shumë kohësh në paraburgim. SPAK ka kërkuar 10 vite burg për Lefter Kokën, që me aplikim të gjykimit të shkurtuar nëse shpallet fajtor, do të dënohet me 6.8 vite burg.