Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ja roli i spiunit Ilir Metaj dhe fallxhores Monika Kryemadhi në hetimin e inceneratorëve, Lefter Koka nxjerr emrin e prokurorit që zhduku 40 fashikuj për interes të çiftit më të përfolur të politikës shqiptare

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka kërkoi dje pafajësi në lidhje me akuzat e ngritura nga prokuroria për inceneratorin e Elbasanit, të cilat i cilësoi si të motivuara politikisht, ndërkohë që bëri disa deklarata të forta, që nëse rezulton e vërtet përben një skandal të madh. Në një seancë maratonë prej orës 09.00 të së enjtes deri në orën 16:00, ish-zyrtari i lartë u paraqit me një pamje të re, ndryshe nga ajo e dhjetorit të vitit 2021 kur u arrestua.

Koka kishte lënë mjekër dhe dukej se burgu e kishte plakur disi, teksa vendosi të flasë pa dorashka, duke bërë një deklaratë të fortë. Fillimisht ai bëri përgjegjës ish-presidentin Ilir Meta për akuzat ndaj tij, të cilit iu referua me epitetet fuks dhe ish-sigurims, ndërsa nuk kurseu as epitetet ndaj Monika Kryemadhit. “Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë.

Unë si ministër, Sekretari Përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikëri ligjin. Intriga e këtij procesi dashakeq do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Kjo është situatë e krijuar nga Presidenti fuks e ish-sigurims me fallxhoren e tij, i cili duke ndenjur mejhaneve thoshte do ta fus në burg Lefter Kokën. Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë nuk kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time”, deklaroi ai.

Koka akuza prokuroritë të SPAK

Më tej ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka nuk i kurseu akuzat edhe ndaj prokurorit të SPAK, Klodian Braho, i cili po heton dosjen e aferës së inceneratorëve, duke thënë se është përdorur me dashje apo padashje nga kallëzuesit. I drejtpërdrejt në atë që thoshte, zoti Koka theksoi se është një proces gjyqësor i stisur njësoj si në sistemin komunist. Sipas tij, provat janë manipuluar, teksa u shpreh se nuk ka asnjë njohje apo kontakt me bosët e inceneratorëve. Po ashtu, ai akuzoi prokurorinë se ka manipuluar provat. Madje Koka nënvizoi se prokurori ka fshehur 40 fashikuj hetimorë. “Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen.

Po kthehemi 45 vite para në proceset e stisura të sistemit komunist. Është një alarm, jo vetëm për mua, por për të gjithë shoqërinë. Ky proces është i manipuluar fund e krye, por besoj se e vërteta do të triumfojë. Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve. Ata nuk i solla unë, por erdhën si propozim nga bota e biznesit.

Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionoi dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë. Intriga e këtij procesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimorë, ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për t’i qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt.

Unë jam në qeli për shkak të ish-presidentit dhe fallxhores së tij”, nënvizoi Koka. Por teksa gjykata pyeti prokurorin Klodian Braho nëse do të përgjigjet ndaj deklaratës së Kokës, prokurori deklaroi se në fund të mbrojtjes, të gjithë të pandehurve do të konsiderojnë mundësinë e replikës. Kjo solli nervozizmin e Kokës që iu përgjigj me ironi: “Pse ke akoma për të thënë”, dhe la sallën e gjyqit.

Hetimet

Kujtojmë se dje ishte seanca e fundit gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit, para se gjykata të japë vendimin. Prokuroria e Posaçme Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pak ditë më parë shpalli pretencat për inceneratorin e Elbasanit, ku kërkoi 10 vite burg për ish-ministrin Lefter Koka, i cili me gjykim të shkurtuar të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.

Zoti Koka akuzohet për “shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim, “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve shtetërorë” si dhe “pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë penale”, kryer në bashkëpunim.