“Jam e lumtur, nuk pendohem që e vrava”, kështu ka deklaruar para hetuesve Hygerta Meta, 19-vjeçarja që vrau babain dhe e groposi në oborrin e shtëpisë.
E reja ka thënë se babai, Pëllumbi, e torturonte atë dhe anëtarët e tjerë të familjes, pasi ishte shumë i rreptë dhe autoritar. Ajo thotë se urrejtja e akumuluar prej disa vitesh, por edhe fejesa pa dëshirën e saj, janë bërë shkak për vrasjen e tij.
“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja është e martuar, janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë. Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë”.
Duke folur për ditën që ndodhi ngjarja e rëndë, ajo ka thënë se babain e ka vrarë me pistoletën që ai mbante si roje dhe trupin e ka mbështjellë vetë me çarçaf, fasho, e qese dhe pastaj e ka groposur.
“Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive. Pas krimit e kam mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e hodha buzë detit”.
19-vjeçarja thotë se armën e ka hedhur në det, por hetuesit nuk kanë mundur ta gjejnë. Ka dyshime se ajo është ndihmuar nga një person tjetër, si për groposjen e trupit, ashtu edhe për fshehjen e armës dhe largimin e makinës së tij nga shtëpia.
Prej disa orësh, në hetuesi po merret në pyetje nëna e vajzës dhe dy djemtë e familjes.