Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se është i fokusuar në rezultate dhe se shkarkimet në komunë nuk kanë të bëjnë me aspekte politike.
‘’Jam i fokusuar në rezultate, por nëse çështja me mbeturinat kishte me qenë okej, nuk kishte me pas shkarkim. Nëse digjitalizimi kishte me qenë okej, nuk kishte me pas shkarkim. Këtë e shoh proces menaxherial jo politik. Jam përtej parive politike për të mirën e kryeqytetit’’, tha Rama.
Ai tutje shtoi se vazhdimisht është në kontakt me kreun e partisë që e ka kandiduar për kryetar të Komunës.
“’Ne jemi ne kontakt me Lumir Abdixhikun si gjithmonë, por vendimet i marrë unë. Unë jam kryetari i Prishtinës. Unë vendosi”, tha ai.
Rama tha se fokusi ti tij është Prishtina. Madje, shtoi se nuk ka ardhur për të bërë politikë.
”Fokusi im është Prishtina. Fokusi im kryeqyteti. Refuzoj të merrem me politikë. Dua rezultat. Nuk më duhet një koalicion nëse nuk e kemi ekipin, i cili është transformues. Nuk kam ardh të bëj politikë. Kam ardh këtu ta drejtojë kryeqytetin”, tha Rama.
Ai ndër të tjera shtoi se partneri i tij në koalicion PDK-ja nuk ka marrë pjesë në tri seanca të Kuvendit.
“PDK që tri seanca paraprake mungon në asamble dhe arsyetohet se në pikat e rendit të ditës po i dërgojmë të gjitha në të njëjtën kohë dhe nuk po i japim prioritet partnerit’’, tha Rama.
Por, Rama këtë nuk po e sheh si të arsyeshme për të mos marrë pjesë në seanca.
‘’Nuk e kuptoj arsyen pse. Dhe nuk mendoj që kjo është e arsyeshme për mos prezencën në seanca. Kam tentuar të jam afërt me të gjithë sepse të gjithë i trajtojë si prishtinali. Në koalicion i kam trajtuar njëjtë drejtorët e PDK-së, i kam diskriminuar pozitivisht’’, tha Rama.
Ndryshe, shkarkimet e fundit dhe emërimet e reja në Komunën e Prishtinës nga Përparim Rama, kanë nxitur debat në publik, duke i cilësuar këto veprime si hakmarrje ndaj partnerit të koalicionit, PDK-së.
Kryetari Rama mori vendim ta shkarkonte drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun dhe nënkryetaren e Komunës, Donjeta Sahatçiu, që ishin nga radhët e PDK-së. Në vend të Sahatçiut, ka emëruar për nënkryetare të Komunës, zyrtaren e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.