Ish-zëdhënësi i Aleancës Veriatlantike të NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, po vlerëson se Kosova duhet t’i kthehet dialogut, anise sipas tij, ky proces mund të jetë zhgënjyes.
Në një përgjigje për klanin ai thotë megjithatë se dialogu ka rrugën më të mirë përpara drejt zgjidhjeve afatgjatë.
”Ky Dialog mund të jetë zhgënjyes, por ai përfaqëson rrugën më të mirë përpara drejt zgjidhjeve të qëndrueshme dhe është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të angazhohet plotësisht në të”.
Madje sipas tij, në këtë kohë tensionesh, një fazë qetësie do t’u kontribuonte shumë negociatave.
”Një periudhë qetësie në veri të Kosovës mund të ndihmojë në krijimin e një konteksti më të mirë për Dialogun Beograd-Prishtinë, i cili duhet të rifillojë në vjeshtë me marrjen e detyrës nga lidershipi i ri i BE-së”.
Kjo referuar tensioneve të paralajmëruara, me rastin e mbylljes së objekteve të komunave ilegale serbe në veri.
”KFOR-it tashmë i është dashur të vendoset gjatë gjithë gushtit në urën e Mitrovicës për të ruajtur sigurinë. Kështu që konsultimet e ngushta ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare në terren janë më të rëndësishme se kurrë në këtë kohë të tensionuar në rajon”.
”Do të jetë shumë më e lehtë që strukturat paralele të shpërbëhen në mënyrë paqësore në kontekstin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe një proces që siguron komunitetin serb për vendin e tij të ardhshëm në Kosovë”.
Shea i cili e njeh mirë rajonin e Kosovës sa i përket sigurisë, ndërsa foli për klankosova.tv, dha disa rekomandime, ku sipas tij ka diçka që duhet të jetë primare.
”Pas një numri incidentesh të dhunshme në veri gjatë 2 viteve të fundit, prioriteti kryesor për momentin është krijimi i besimit ndërmjet komunitetit kosovar dhe atij serb përmes një dialogu dhe një strategjie efektive komunikimi”.
Derisa edhe konsideron se veprimet që befasojnë partnerët ndërkombëtarë nuk janë aspak të dobishme.
”Ajo që sinqerisht nuk është e dobishme janë veprimet e njëanshme që befasojnë secilin dhe të cilat nuk janë të koordinuara me KFOR-in apo EULEX-in, të cilët në fund duhet të merren me pasojat dhe të ofrojnë siguri”.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, madje apeloi që raportet e Kosovës me aleatët duhet të ruhen.
”Ajo që i ka sjellë Kosovës deri më tani është bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe partnerëve të saj në Evropë dhe Amerikën e Veriut dhe ky partneritet i çmuar duhet të ruhet”.
”Është e vërtetë se që nga viti 2013 Beogradi dhe Prishtina janë pajtuar në parim që strukturat paralele serbe në veri të Kosovës duhet të shpërbëhen. Por gjithçka është çështje konteksti dhe koha”.
”Duhet të shkojmë përpara dhe jo prapa”, tha ai mes tjerash.