Ambasadorja e Shqipërisë në Tel Aviv, Meri Kumbe, ka pasqyruar situatën në Izrael, pas sulmeve të mbrëmjes së kaluar të Iranit ndaj fqinjit të tij.
Në një intervistë televizive, Kumbe tha se situata i është kthyer përditshmërisë dhe nuk është e njëjta situatë e tensionuar si në sulmet e tetorit të vitit të kaluar, të organizuara nga Hamasi kundrejt Izraelit.
Ajo tha se qielli i Izraelit mbrëmjen e djeshme “u pushtua” nga raketat dhe dronët, por sipas saj, mbrojtja ajrore vendase i mbajti qytetarët të sigurt, ku rreth 99 % e tyre u rrëzuan.
Kumbe shtoi se ambasada shqiptare atje, në bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit tonë, kanë qenë në gatishmëri, për t;i ofruar ndihmë qytetarëve shqiptarë që ndodhen atje.
“Jemi të gjithë mirë. Janë disa shqiptarë këtu. Në Izrael këtë javë ka pasur një sërë aktivitetesh ndërkombëtare. Ka qenë panairi i famshëm që bëhet vit për vit për tregtinë. Kemi nxënësit dhe studentët që janë këtu me ne. Ikën në sulmin e tetorit, janë rikthyer dhe prapë po gjejnë mënyra. Situata është shumë e qetë në krahasim me tetorin. Jeta po vazhdon si në përditshmëri.
Udhëzimet nga institucionet e Izraelit kanë qenë pa kufizime. Gjithë pjesa tjetër e aktiviteteve është në normalitet. Shkaktoi konfuzion te qytetarët mbyllja e aeroportit gjatë orëve të mbrëmjes, jo vetëm mbyllja e aeroportit të Tel Avivit, por edhe i atij të Jordanisë. Si ambasada shqiptare e Izraelit, ashtu edhe ajo e Egjiptit kemi qenë në gatishmëri të plotë. Kemi një databazë shumë të mirë të qytetarëve. Kemi kontakte me qytetarët.
Jemi kujdesur që t’i udhëzojmë këta qytetarë që janë gjendur për punë në Izrael. Termi evakuim nuk është term i duhur. Aeroporti është duke funksionuar nga ora 07:00 e mëgjesit në mënyrë normale. Qytetarët që do të largohen sot në dakë, prej biletave të shtyra, prindërit vendosën t’i tërheqin fëmijët për të qenë më të sigurt. Kemi që mbrëmë deri sot që finalizuam procesin e biletave. Vlen të theksohet që gjatë mbrëmjes së djeshme qielli i Izraelit u mbush nga sulmet me dronë dhe raketa, por vetëm 1 % e tyre ra në tokë, që nuk u arrit të interceptoheshin.
Ishte vërtet një mbrojtje ajrore, në aspektin e njerëzve u ndien të sigurt. Edhe njoftimi 48 orë më parë, i mbajti njerëzit të sigurt. Mbledhja e Kabinetit të luftës nuk ka nisur ende, pritet të nisë. Ka zhvillime shumë të shpejta që priten të merren, për mënyrën se si do të zgjidhet ky konflikt. Duhet të presim njoftimet dhe vendimet e tyre sesi do të jenë.
Janë të shumta thirrjet që bëjnë apel për vetëpërmbajtje. I ftoj shqiptarët në Izrael që të ruajnë qetësinë, nuk ka nevoj për panik. Institucionet shqiptare, përfshi ambasadat kemi qenë në gatishmëri të plotë. Padyshim që ka tension politik, por kjo nuk impakton tani për tani sigurinë e jetës së qytetarëve”, tha Kumbe.