Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Janjiq: Vuçiq tani është gati për të gjitha lëshimet ndaj Kurtit

Analisti politik Dushan Janjiq deklaroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ftoi Listën Serbe që të marrë pjesë pa kushte në zgjedhje vetëm për të shmangur përgjegjësinë për një numër të madh vendimesh të gabuara në vitin e kaluar.

Janjiq ka thënë për agjencinë Beta se thirrja e Vuçiqit për të shkuar në zgjedhje në Kosovë është një tjetër në vargun e lëvizjeve të gabuara sepse, siç tha ai, Vuçiq nuk do të përballet me gabimin dhe pasojat kur tërhiqte serbët nga institucionet e Kosovës.

“Me këtë thirrje Vuçiq legalizoi dhe inkurajoi Kurtin (kryeministrin e Kosovës) që të vazhdojë me politikën e tij ndaj veriut të Kosovës, me faktin se ai mori një pjesë të përgjegjësisë së Kurtit për situatën e keqe të sigurisë dhe politike në veri. Qëllimi i Vuçiqit është të largojë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga procesi kundër Milan Radoiçiqit, e gjithë kjo në dëm të popullit serb në veri të Kosovës”, ka vlerësuar Janjiq.

Ai theksoi se kryeministri i Kosovës është një “politikan i vështirë” dhe se Vuçiq nuk është dashur t’i “shtrijë dorën”.

“Kur Josep Borreli e përzuri Kurtin nga zyra e tij, pasi ky i fundit i kërkoi të zëvendësonte Miroslav Lajçakun, Kurti për Brukselin u bë i padëshiruar. Vuçiq duhej ta dinte këtë dhe nuk duhej t’i jepte dorë Kurtit kur ishin zgjedhjet”, tha Janjiq.

Ai ka theksuar se zgjedhjet në veri të Kosovës nuk do të mbahen para pranverës së vitit të ardhshëm, sepse Kurti pas pranimit të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, tha se zgjedhjet mund të thirren dhe mbahen vetëm sipas udhëzimeve administrative të Prishtinës.

Ai shtoi se Lista Serbe u diskreditua edhe një herë sepse u kthye në megafonin e Aleksandër Vuçiqit.

“Ata vrapuan menjëherë për t’iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së Vuçiqit për të pranuar daljen në zgjedhje, por u pritën nga kërthiza e Kurtit i cili tha, zgjedhjet janë të mundshme, por sipas udhëzimeve administrative. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sipas udhëzimeve nga Prishtina, kjo do të ishte vetëm në pranverë dhe do të thoshte që Beogradi dhe Lista Serbe të heqin dorë nga formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe më pas të filloi tërheqja e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës”, ka theksuar Janjiq.

Vuçiq tani është i gatshëm të bëjë çdo lëshim ndaj Kurtit, tha ai, përderisa nuk diskutohet për fajin e tij për ngjarjet tragjike në Banjskë të 24 shtatorit.

“Serbët në Kosovë janë shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer sepse e kuptuan se Beogradi nuk ka më asnjë përgjigje dhe fuqi për t’u ofruar atyre ndonjë ndihmë. Lista Serbe nuk është më një lojtar politik. Tani do të ishte mirë që serbët në Kosovë të zgjidhnin përfaqësues të rinj politikë, të cilët nuk janë të përfshirë në krim dhe nuk janë të ndikuar nga Beogradi”, ka përfunduar Janjiq.