Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Januzi: Mjetet e ndara nga Qeveria për Trepçën mbulojnë nevojat deri në dhjetor

 
   

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi tha se pas vendimit të qeverisë për ndarjen e mjeteve, do ta anulojnë protestën e paralajmëruar të mbahet nesër.

Januzi për KosovaPress tha se e kanë mirëpritur këtë vendim, ani pse është i vonuar.

Sipas tij, mjete prej mbi 4 milionë euro, për të cilat sot njoftoi qeveria e Kosovës se do të ndahen për këtë minierë, do të mbulojnë nevojat e minatorëve deri në dhjetor të këtij viti.

Januzi: Vendimi i Qeverisë për ndarje të mjeteve i mirëpritur

“Për neve ky vendim është i mirëpritur sepse ka qenë kërkesë e jona tash e tre muaj që të na dalë ndihmë qeveria për shkak se në ndërmarrjen ‘Trepça’ ka ndodhë një keqmenaxhim. Trepça është zhytur në borxhe shumë të mëdha saqë edhe prodhimet tona janë futur në borxhe dhe si rezultat i kësaj nuk kemi arritur t’i marrim pagat. Vendimi është i mirëpritur edhe pse është shumë i vonuar. Ne minatorët kemi pasoja bashkë me familjet tona për shkak të mos realizimit të pagave që nuk ka qenë faji te ne por tek ata që kanë menaxhuar dhe e kanë futur ndërmarrjen në borxhe”, tha Januzi.

Januzi potencoi se si rezultat i përpilimit të një plani konkret, del se këto mjete nuk janë mjaftueshme, për çka u zotua se pjesën tjetër e kanë përsipër vetë minatorët.

Januzi: Zotohemi se do të kthehemi në punë

“Si rezultat i përpilimit të një plani konkret, këto meqenëse nuk janë të mjaftueshme ne jemi zotuar se pjesën tjetër e kemi marrë përsipër ne si minatorë. Ndërsa prej të tjerave, 50 përqindëshi do të ndahet nga këto mjete…Këto mjete janë ndarë deri në dhjetor të vitit 2024, mirëpo ne zotohemi se do të kthehemi në punë”, tha Januzi.

Për KosovaPress, Januzi tregoi se arsyeja e protestës së paralajmëruar për nesër ka qenë për ndarjen e mjeteve dhe si e tillë pas vendimit të qeverisë për ndarjen e tyre, do të anulohet.

Januzi: Protesta nuk do të mbahet

“Vetë fakti se qeveria e Kosovës ka ndarë shumën prej 4 milionë euro pushon arsyeja e protestës, sepse qëllimi jonë ka qenë social. Kërkesa ka qenë direkte, protesta ka qenë me motive për rritjen e qëllimit social, konkretisht për ndarjen e mjeteve apo ndarjen e pagave”, theksoi Januzi.

Ndër të tjera, ai potencoi se kushtet e minatorëve janë të mjerueshme.

Januzi theksoi mungesën e ajrit dhe mjeteve të punës.

Januzi: Kushtet e minatorëve janë të mjerueshme

“Kushtet mund të themi edhe tash që janë te mjerueshme sepse ne përballemi me (mungesën) e gjërave elementare. Por konkretisht na mungon ajrimi dhe mjetet e punës. Si rezultat i mjeteve të punës ne nuk po dalim edhe shumë produktiv sepse kemi defekte të mëdha. Kemi mjete të konsumuara totalisht. Me vetëmohimin tonë dhe energjinë përtej asaj që kemi mundësi ne po bëjmë të pamundurën që t’i riparojmë ato të cilat kanë një kosto shumë të lartë për ndërmarrjen. Sepse edhe prodhuesi e ka paraparë që ato mjete jetëgjatësinë e kanë deri në 5 vite”, potencoi Januzi.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro për ndërmarrjen “Trepça” për t’i subvencionuar pagat e minatorëve.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se këto mjete merren nga kategoria “Subvencione dhe transfere” në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se këto mjete u ndanë pasi ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat, dhe se punëtorët kanë mbetur që 3 muaj pa paga.