Sipas rezultateve të publikuara, gjatë ditës së djeshme nga testi PISA, Kosova është renditur krejt në fund në pothuajse të gjitha kategoritë.
Por që kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj është shprehur i sigurtë që vendi jonë nuk e ka arsimin aq të dobët sa është paraqitur në këtë test.
Madje Jasharaj, i ka bërë apel ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që t’i lejë inatet të thërrasë të gjitha palët që janë të ndërlidhura me arsimin në Kosovë, e që sipas tij, të mos drejtohet gishti vetëm kah mësimdhënësit.
“Ishte një lajm i keq që na jep alarm që duhet bërë angazhime të përbashkëta për ta ndryshuar gjendjen. Unë jam i sigurtë që arsimin nuk e kemi aq dobët sa jemi prezentuar në këtë test, por edhe dje në media të nderuara edhe sot i bëj apel ministres Nagavci që t’i lejë inatat nga greva, që t’i thërrasë të gjitha palët që janë të ndërlidhura me arsim. Në radhë të parë Akademinë e Shkencave dhe Arteve, pastaj SBASHK-un, përfaqësues të Këshillit të Prindërve, ekspertë të mirëfilltë, pastaj profesorët e nderuar nga Fakultetet, të ulemi bashkë dhe ta analizojmë një për një të gjitha çështjet në arsim”, tha Jasharaj.
Derisa theksoi se arsimi në Kosovë ka kaluar periudha të vështira që nga vitet e 90-ta e deri në periudhën e pasluftës, ku sipas tij, janë bërë eksperimente të shumta.
“Ky arsimi i Kosovës ka kaluar vite të vështira në vitet e 90 -ta dhe në pasluftë kishim problem me riorganizim, e aq më keq janë bërë shumë eksperimente në arsimin e Kosovës, duke u munduar që individë të vënë në jetë projekte të caktuara, kurrikula të caktuara të vendeve shumë të zhvilluara. Pra duhet të analizojmë një për një situatën mos të bëjmë me gisht kah njëri tjetri mos të vazhdojmë me përplasje e fyerje, sepse po vazhduam si herave tjera një javë me zhurma e përplasje duke bërë gisht, duke u munduar ta lëmë vetëm një fajtor do ta kemi PISA-n e radhës po kështu keq”, tha ai.
Derisa Jasharaj pati edhe një porosi për kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
“I drejtohem edhe kryeministrit Kurti, që fjalët e mëdha t’i kthejë në vepra të ndajë buxhet për shkollat”.
Ndryshe, nga 80-të shtete pjesëmarrëse për lexim, Kosova ka zënë vendin e 76-të, derisa për shkencë vendin e 77-të nga 80 vende pjesëmarrëse në testin PISA.
Derisa Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në konferencë për media ka thënë se këto kanë qenë rezultate të pritshme duke pasur parasysh problemet me mësimin gjatë pandemisë.
“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë ajo.