Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Jasharaj fajëson Kurtin dhe ministrat për gjendjen në arsim: Murati tentoi t’i shuante sindikatat

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit Kurti e ministrave të tij.

Sipas Jasharajt, kryeministri Albin Kurti e ministrat Arbërie Nagavci e Hekuran Murati, janë fajtor për gjendjen në të cilën gjendet arsimi.

“Nga përvoja që kam sindikale shumë e gjatë, ministri Hekuran Murati e them publikisht se është njëri nga fajtorët kyç, sepse ai po harron që përveç se është ministër i Financave dhe Trasnfereve është edhe i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga vet ky fakt ai duhet të jetë flamurtar, ta nxis dialogun, të krijoj kushte edhe kur Qeveria thotë jo, të insistoj që të ketë dialog me sindikatën. Këtë detyrë e ka ministri. E në vend të kësaj ai e ka bllokuar edhe punën e këshillit ekonomik-social, ku ulen me ligj tri palët: Sindikatat, Qeveria dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe merren vesh për kërkesat”, u shpreh Jasharaj.

Madje, kryesindikalisti akuzon ministrin Murati për përpjekje për t’i shuar sindikatat në vend. Thotë se ka gënjyer e ka shpifur ndaj sindikatave në vend. Fajtor e konsideron edhe për vlerën e koeficientit të pagave.

“Ai (Hekuran Murati) bëri çmos edhe 5, 6 muaj pas vendimit për koeficientin. Ai u deklarua që në qershorin e vitit të kaluar se ngritja e koeficientit do jetë vetëm pesë euro nga 105 në 110 euro dhe konsiderojmë si njërin nga faktorët kyç, edhe për ligjin e pagave, edhe për koeficientin e ulët edhe për deklaratat e tij kundër SBAShK-ut, deklarata shpifëse, gënjeshtra e pa asnjë argument. E konsiderojmë fajtor edhe për tendencën për t’i shuar sindikatat ngase tërë anëtarësinë qe e kishim të regjistruar në bazë të ligjit për arsimin sindikal ai e ka shlyer në tërësi për t’i zhdukur dhe shpiku platformën E-Kosova duke i obliguar njerëzit se nëse duan të jenë në sindikatë të regjistrohen në E-Kosova, i cili bie që është portal i shtetit dhe paramendojeni njerëzit regjistrohen për të mos u shuar sindikata në një portal të shteti në vend që të jetë ajo që e thotë ligji se një anëtar regjistrohet për sindikatën e vet e jo në një portal shtetëror”, deklaroi Jasharaj.

Krahas problemeve me shtetin, Jasharaj e sheh problematike edhe një fakt tjetër. Atë të largimit të mësimdhënësve nga Kosova. Jasharaj thotë se tash e sa kohë, mësimdhënësit kanë filluar t’i marrin pushimet njëvjeçare pa pagesë, duke u larguar në vendet perëndimore për një jetë më të mirë.

“Te ne zakonisht mësimdhënësit në të kaluarën më shumë të vogël e kanë shfrytëzuar një të drejtë që u takon me ligj të punës por me mirëkuptimin e DKA-ve për shkaqet e natyrave të ndryshme u është lejuar pushimi një vjet, mirëpo ky numër na shqetësoi sepse kishim informacione se është shtuar ky numër. 300 mësimdhënës para liberalizmit të vizave (kanë marrë pushim pa pagesë njëvjeçare) dhe konsiderojmë se ky numër është rritur por neve na habit dhe na ka habitur në atë kohë se pse Drejtoritë e Arsimit dhe MASHTI nuk thanë asnjë fjalë. Së paku të na demantojnë neve, urojmë që as numri 300 e as numri 600 të mos jetë i tillë sepse ne këto informacione nuk i kemi zyrtare, ngase ata nuk kërkojnë leje tek ne por në DKA-të dhe unë mendoj se ministrja Nagavci ish dashtë me i mbledh DKA-të të dhe të na demantoj dhe ne do të gëzoheshim nëse thotë se nuk është as 300 as 600 por një numër më i vogël”, deklaroi tutje Jasharaj.