Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Jashari në konferencën e Kartës së Adriatikut kërkon që Serbia të dënohet për sulmin në veri

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka thënë se është koha që Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut.

Ai këto deklarata i ka bërë në Konferencën e Shefave të Mbrojtjes së Kartës së Adriatikut – SHBA e cila po mbahet në Shkup.

Gjatë fjalimit të tij, Jashari foli edhe për sulmin terrorist në veri të vendit më 24 shtator, ku kërkoi dënimin për ato shtete që përkrahin sulme të tilla.

“Gjeneral Jashari foli për sulmet e ndodhura në veri të Kosovës dhe për faktin që ato janë kërcënim për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit. Gjenerali ritheksoi që gjëra të tilla nuk bën të përsëriten dhe shtetet të cilat i përkrahin ato duhet të marrin dënimin e merituar. Në fund Gjeneral Jashari zyrtarisht u deklaroi pjesëmarrësve që ka ardhur koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Komandanti i FSK-së me delegacionin e tij ka realizuar takime bilateral me delegacionin amerikan prirë nga Gjeneral Christopher Cavoli, Komandant i Forcave Amerikane për Evrope (EUCOM).

“Gjatë takimit Gjeneral Jashari prezantoi të arriturat e FSK-së dhe falënderoi Gjeneralin Cavolin për mbështetjen dhe partneritetin në fushën ushtarake mes dy vendeve. Po ashtu, u diskutua situata e sigurisë në vendin tonë dhe sfidat rreth saj”, thuhet në komunikatë.

Gjeneral Cavoli e përgëzoi Gjeneral Jasharin për lidershipin e tij së dhe njëherit ritheksoi që SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin FSK-në në rrugën e zhvillimit të kapaciteteve ushtarake dhe atyre të mbrojtjes.