Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, ka thënë se drejtori i Auditimit, Musa Vitija, ka dhënë dorëheqje nga SHSKUK.
Sipas tij, arsyeja e dorëheqjes është mungesa e sigurisë nga institucioni, pasi atij i ishin djegur dy vetura në parkingun e QKUK-së.
Gazetari Vitija ka thënë se Kurti i kishte akuzuar dy kompani për mungesë të sigurisë dhe më “s’ka ndodh kurgjo”.
“Ka dhene doreheqje nga SHSKUK, Musa Vitija, drejtori i Auditimit te cilit vitin e kaluar iu dogjen dy vetura ne parking brenda QKUK-se. Arsyeja e doreheqjes eshte mungesa e sigurise nga institucioni. Veç me kujtu qe kryeministri Albin Kurti i kishte akuzuar dy kompani per mungese te sigurise dhe funksionimit te kamerave ne kete institucion ne kohen kur jane djegur veturat. S’ka ndodh ma kurgjo. Ky eshte nje mesazh deshperues per te gjithe zyrtaret e institucioneve qe dojne me bo diçka t’mire ose me denoncu keqperdorime”, ka shkruar Bujar Vitija.
Më 19 gusht dhe 7 tetor i është djegur vetura Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija.
Pas këtyre dy rasteve, Kurti kishte shkuar në SHSKUK dhe ishte takuar me të. Ai kishte fajësuar kompanitë “Security Code” dhe “Quantic”.
“Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima”.”
Kurti kishte thënë se të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin.