Sot bëhen 25 vjet nga rënia heroike e dëshmorit i kombit, Mensur Sefer Zyberaj, i lindur më 7 korrik të vitit 1965 në fshatin Drenaj të Anadrinit. Heroi Mensur Zyberaj ishte ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Mensur Zyberaj është regjistruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë studimeve, duke kaluar shtigjeve kah dituria dhe liria, ka zgjeruar veprimtarinë dhe rrethin e shokëve. Fakulteti, studimet dhe veprimtaria patriotike e ka lidhur ideali i bashkimit kombëtar dhe kështu Mensuri është lidhur edhe me: Lahi Ibrahimajn, Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nuri Behxhetin, Nait Hasanin, prof. Muhamet Malësorin dhe prof. Ukshin Hotin dhe në Prishtinë është faktorizuar së bashku me Feim Gashin e Muhamet Malësorin në organizimin e rezistencës së armatosur për çka e frymëzonte veçanërisht prof. Ukshin Hoti, “Promethe i Shtetësisë së Kosovës”.
Në frymën e parimeve përgatitore të kalimit nga veprimtaria ilegale në veprimtari më të konsoliduar operative, ai ka marrë pjesë në aksionet sulmuese mbi stacionet dhe postblloqet e policisë serbe dhe është zbrazur Stacioni Policor i Drinasit (ish – Ratkocit) të cilin e kanë shkatërruar: Mensur Zyberaj, Feim e Bedrush Gashi me shokë, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Pas këtij aksioni të suksesshëm për Grupin e Anadrinit, Mensuri e ka vazhduar veprimtarinë me Vehbi Muharremin, Bedri Zyberajn, Tafil Zyberajn e Muharrem Berishën dhe kanë përshpejtuar dinamikën për organizimin e rezistencës së armatosur në fshatrat e Anadrinit. Për ta realizuar këtë detyrë, Mensuri ka bashkëvepruar me luftëtarët e lirisë nga Drenica e Komandantit Legjenda, Adem Jashari. Në Likoc e Açarevë është gjendur së bashku me Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Sabit Gecin, Sami Lushtakun e Xheladin Gashin – Plakun.
Rënia e dëshmorit Luan Haradinaj më 6 maj të vitit 1997 në “Qafën E Mullarit”, Mensurin e gjeti në Shqiponjë, ndërsa rënia e mësuesit Halit Geci në Llaushë, në Skënderaj. Së bashku me Bedrush Gashin, Feim Gashin, Haxhi Hotin dhe Sakip Bellaqën. Në Likoc marrin detyra për të vepruar në sektorin e logjistikës i cili kalonte nëpër Has. Kishte mbështetje nga i vëllaj Osman Zyberaj i njohur si “Baca i Vogël” e nga fqiu Isuf Sherif Gashi, “Baca i Madh” – dy shtylla në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 26 prill të vitit 1998, në fshatin Drenaj ka dalë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe fshati është shndërruar në kazermë, ndërsa me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm është themeluar Shtabi Operativ Lokal, i cili shumë shpejt ka avancuar në nivelin rajonal të Anadrinit me stafin komplet dhe planin operativ për shtrirje. Punën e shtabit e ka drejtuar Mensur Zyberaj me ndihmën e vëllezërve Gashi; Bedrushit dhe Feimit. Me konstituimin e shtabit Operativ Rajonal, në ballë ka dalë Xhemë Gashi me: Gani Paçarizin, Selajdin Mullabazin, Selim Krasniqin, Isuf Gashin, Bedrush Gashin dhe Mensur Zyberajn. Pas aksionit të 26 prillit 1998, ndërmjet Krushës së Vogël e Piranës, më 12 maj kanë shpërthyer luftimet e para frontale ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore serbe në kodrinat pranë fshatrave: Franjakë, Bardhatin, Drenaj e Drinas.
Këto luftime kanë shënuar Betejën e Bardhatinit, në të cilën janë thyer forcat policore – ushtarake serbe, ndërsa në radhët e luftëtarëve të lirisë janë përjetësuar: Milaim Krasniqi e Elmi Morina e Mensurit i është plagosur rëndë i vëllaj Osmani. Por atyre ditëve, pas betejës së Balincës e Grykës së Llapushnikut, luftimet janë shtrirë në Rrafshin e Anadrinit.
Pas thyerjes së forcave serbe në Gardhisht, policia ka kurthyer “Pritën e Përudhës”, ndërmjet fshatrave: Fortesë e Xërxë në të cilën Mensurit i janë përjetësuar: Përparim Thaçi i Landavicës, Sakip Bellaqa i Burimit të Epërm dhe Feim Gashi i Drenajt e është plagosur rëndë Islam Gashi, por Mensuri ka qëndruar i pathyshëm dhe ka vazhduar luftën, e cila ka qenë e shtrirë nëpër fshatrat e Anadrinit. Më 6 qershor, Mensur Zyberaj është gjetur në luftimet e Drinasit kurse më 18 – 19 qershor në Bokat e Kromnikut.
Më 17 korrik 1998 “Komandant Pesqinshi” ka qenë në luftimet për Rahavecin, kurse më 18 korrik në Betejën e Fortesës ka mbetur pa Gani Paçarizin, pa Agim Kelmendin, pa Tafil Zyberajn e pa Skënder Jahë Kastratin.
Por, menjëherë pas luftimeve të korrikut, është hetuar zbehja logjistike prandaj Mensur Zyberaj është angazhuar sërish në korridorin logjistik: Drenaj – Celinë – Rogovë – Kushnin – Cahan, në të cilin ka vepruar deri më 27 tetor 1998, kur u ka prirë shokëve për t’u riarmatosur. Më 6 nëntor ka mbetur pa Xhelal Hajdën e Selajdin Mullabazin, kurse më 3 dhjetor në Gurrazhub i është përjetësuar bashkëluftëtari dhe shoku i idealit, profesor Muhamet Malësori.
Më 12 dhjetor, ai është rreshtuar në “Eshalonin e Mujë Krasniqit” dhe me luftime nëpër dëborë e stuhi ka arritur edhe një herë në Kosovë, por tash pa dyzetë shokë e pa dhëndrin Isaj Muharrem Morina nga Franjaka e Anadrinit.
Marsi i vitit 1998, dëshmorin e kombit, Mensur Zyberaj e ka gjetur nëpër luftimet përreth “Qafës së Pagarushës”, prilli nëpër “Malet e Berishës” prej nga ka zbritur në Rrafshin e Anadrinit; aty është gjetur së bashku me komandant Tahir Sinanin dhe koordinojnë taktikën për t’u inkorporuar në operacionin “Shigjeta” në drejtim të magjistrales Prizren – Gjakovë e së andejmi deri në fshatrat përreth Drinit të Bardhë.
Më 26, 27 e 28 maj të vitit 1999, Anadrini është rrethuar përsëri pasi që forcat e mëdha serbe kanë ndërmarrë “krehjen me këmbësori” prej “Rrihjeve” të Rahavecit në drejtim të “Hamoceve”, “Pisjakut”, “Bërnajakës”, “Rrapishteve”, “Izbishtit” e kah “Lugu i Qëndresës”, ndërmjet fshatrave: Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Zaçisht, Apterrush, Reti, Reti e Ulët dhe Qëndresë (ish – Randubravë) dhe kështu më 28 maj kah ora ll, 30, janë ballafaquar forcat serbe me luftëtarët e lirisë dhe luftimet kanë zgjatur deri në shkatërrimin total të forcave të Milintijeviqit. Në fushën e nderit të altarit të lirisë në kodrat dhe lugjet e Mileskës kanë rënë: Habib Gashi, Kurtish e Nazmi Hasani, Ismajl Gashi, Bedri Berisha i Valljakës, Manush Berisha, Agron Bytyçi dhe komandant “Pesqinshi” – Mensur Zyberaj i Drenajt të Rahavecit. Por, në këtë betejë duke bërë rezistencë e sulme të parreshtura mbi forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe bri “Lugjeve të Mileskës” janë plagosur rëndë edhe Rexhep Krasniqi, Selim Gashi e Isa Gashi.
Forcat serbe, pjesa e mbetur, është dëbuar në drejtim të magjistrales Prizren – Gjakovë kurse luftëtarët e Adem Jasharit pozicionohen në aksin e përmendur rrugor te “Ura e Piranës”, ku edhe kishte filluar lufta në fshatrat e Anadrinit më 26 prill të vitit 1998.
Serbët nuk kishin arritur t’i merrnin trupat e dëshmorëve Habib Gashi, Bedri Berisha e Kurtish Hasani, por e kanë marrë Mensur Zyberajn dhe Ismajl Gashin. Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake të Zonës Operative të Pashtrikut, trupat e pajetë të Mensur Zyberajt, Bekim Gashit, Dalip Behrës e të Ismajl Gashit janë zbuluar në varrezat e Prizrenit. Rivarrimi i dëshmorit Mensur Zyberaj është bërë më 30 qershor të vitit 1999 në fshatin Drenaj të Rahavecit pranë dëshmorëve: Bedrush e Feim Gashi, Tafil Zyberaj e viktimave të luftës, të cilëve i është bashkuar edhe Isuf Berisha, i ekzekutuar në Burgun e Dubravës.