Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Jetëgjatësia në Kosovë, Bajrami i “kapet” Muratit: Ministër i dështuar

 
   

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Hekuran Muratin për dështim si ministër i Financave, pasi ky i fundit publikoi të dhënat e Bankës Botërore mbi jetëgjatësinë mesatare të pritur në Kosovë.

Murati ka thënë se këto të dhëna tregojnë mbi rritjen e cilësisë së jetës në vend, ku jetëgjatësia mesatare është 80 vite apo rreth 4-5 vjet më e lartë se mesatarja në Ballkanin Perëndimor.

Deklarimet e ministrit nga partia në pushtet për ish-ministren Bajrami janë propagandë në kohën kur Kosova vazhdon të tkurret nga ikja e të rinjve dhe vazhdon të mos ketë investime të huaja, përkundër premtimeve për realizimin e projekteve.

Bajrami ka përkujtuar si “ende të freskët” dështimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, teksa Kosova po humbë qindra miliona euro nga sanksionet e BE-së dhe vazhdon të mos ketë asnjë njohje për gati katër vjet të keqqeverisjes Kurti.

Për më tepër, Bajrami ka akuzuar Qeverinë për “alokim” të buxhetit te “dostat” përmes tenderëve njëburimor duke ndërhyrë në institucione të pavarura me militantë partiakë e familjarë.

“Nepotizmi ka arritur kulmin. Ka heshtje dhe miratim nga partia e mashtrimit dhe propagandës për shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes që koordinohet me Radoiçiq. Në krye të arsimit kemi një shkelëse të Kushtetutës. Kanë mashtruar që kanë premtuar ndërtimin e 160 çerdheve e ende s’i kanë ndërtuar as 10 prej tyre. Ministri i dështimeve paska thënë ”është rritë cilësia e jetës”. Me çka ministër? Me rritje dyfish të çmimeve të produkteve ushqimore/rritje të varfërisë? Me rritje të çmimit të energjisë elektrike? Me investime zero në shëndetësi? Me investimet zero në ambient? Me investime zero në energji të ripërtritshme? Apo me rritje të korrupsionit? Ka rrezik që Hekurani beson që Albin Kurti edhe shpirtin e tij e të qytetarëve të këtij vendi e ka në dorë. Jo, mashtrimet nuk kalojnë, me propagandë nuk mund të qeverisni më”, përfundon Bajrami.