Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kabashi i IKD-së: Viktimat e dhunës në familje kanë të drejtën e kompensimit

Hulumtuesi ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Flamur Kabashi, gjatë prezantimit të raportit “Kompensimi i Viktimave të Dhunës në Familje” ka thënë se viktimat e dhunës në familje kanë të drejtën të kompensimit në rastet kur i pandehuri është shpallur fajtor.

“Sipas Kodit Nr.08/L-032 të Procedurës Penale viktima ka të drejtë në kompensim të arsyeshëm për dëmin material, fizik dhe emocional të shkaktuar nga vepra penale, për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor sipas KPRK. Gjykata që zbaton procedurën penale shqyrton propozimet e palëve, përkatësisht viktima ose personat e autorizuar, lidhur me kërkesat e tyre pasurore juridike, për dëmet që kanë pësuar si rezultat e kryerjes së veprës penale nga të cilët janë dëmtuar”, tha Kabashi.

Hulumtuesi ligjor në IKD tha se për kompensimin e viktimave të dhunës në familje mund të vendoset në procedurë penale ose të udhëzohet që kërkesa të realizohet në kontest civil.

“Se a do të vendos gjykata në procedurë penale për kërkesën apo këtë do ta referojë në procedurë civile, rëndësi ka vendimi meritor i gjykatës, me të cilin i akuzuari shpallet fajtor, lirohet nga akuza, refuzohet akuza apo pushohet procedura penale. Në situatën e parë, kur i akuzuari shpallet fajtor, gjykata mund të vendosë për kërkesën pasurore juridike, nëse ajo është parashtruar, të të dëmtuarit në tërësi ose pjesërisht dhe për pjesën e mbetur e udhëzon në kontest civil. Përderisa, në situatat tjera, gjykata udhëzon të dëmtuarin që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në kontest civil”, tha ai.

Kabashi tha se ekziston edhe një instancë tjetër e cila siguron të drejtën për kompensim të viktimave të dhunës në familje.

“Në rastet kur kompensimi nuk mund të sigurohet sipas rrugëve të lartcekura, Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit siguron të drejtën për kompensim nga Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, tha Kabashi/BetimipërDrejtësi