Çmimet e larta të artikujve ushqimorë dhe artikujve të tjerë të konsumit të gjerë po e zbehin çdo ditë shportën e konsumatorit. Shoqata “Konsumatori” thotë se zbritjet në rafte nuk janë reale, përderisa nga përfaqësues të bizneseve theksojnë të kundërtën. Ekonomistët vlerësojnë se është një diskrepansë e madhe ndërmjet çmimeve dhe pagës.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të artikujve bazë në Kosovë po e rëndon gjithnjë e më shumë gjendjen ekonomike. Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, duke folur për Radio Kosovën, thotë se shumë çmime, qoftë në markete apo butikë, para zbritjes, u rriten çmimet, në mënyrë që ai i zbritjes të bjerë në çmimin real. Është e paimagjinueshme që një zbritje e çmimeve të arrijë në 80 për qind, dhe kjo situatë është alarmante, thotë Kaçaniku.
“Ajo situatë nga ne duhet të merret si alarmante e jo reale, e pra duhet të dyshojmë se diçka e parregullt është aty brenda. Ka zbritje të ultë të çmimeve në shumë artikuj në markete, e në veçanti në artikuj ushqimor. Shumica e çmimeve të ulura në markete kanë të bëjë me afat të përafërt të skadimit apo ndonjë problem që ka të bëjë lidhur me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit apo edhe mbrojte të tjera”, thotë ndër të tjera Kaçaniku.
Por, ndryshe thotë përfaqësuesi i bizneseve, Agim Shahini. Duke folur për Radio Kosovën, Shahini thotë se tregtarët nuk janë ata që përcaktojnë marzhën, por ato prodhuese dhe importuese. Sipas tij, çmimet janë shumë më të ulëta, sesa në vitin e kaluar.
“Vlerësojmë se në këtë vit çmimet janë shumë më të ulëta se në vitin e kaluar dhe ka pretendime se çmimet do të stabilizohen, për arsye se inflacioni është në stabilizim e sipër. Kosova varet rreth 90 për qind nga importet dhe prodhuesit vendorë janë nuk mund ta mbulojnë konsumin e përgjithshëm,sepse janë pak.. Prandaj, ne varemi nga importet dhe me këtë importojmë edhe inflacion, si dhe çmime të cilat diskutohen nga importuesit dhe eksportuesit e të gjitha produkteve”, deklaron ndër të tjera Shaihini.
Edhe njohësi i ekonomisë, Ardijan Sahiti, thotë për Radio Kosovën se inflacioni në vendin tonë e ka dëmtuar dukshëm zhvillimin ekonomik.
“Inflacioni vetëm sa e rrudh ekonominë, pra, raporti i inflacionit me ekonominë reale qëndron në disproporcion të zhdrejtë. Kur ka inflacion të lartë, ekonomia vjen e rrudhur, e një ekonomi është stabile atëherë kur inflacioni është i kontrollueshëm. Pra, është një diskrepancë e madhe në mes të çmimeve dhe pagës”, potencon Sahiti.
UNDP ka publikuar analizën e Pulsit Publik lidhur me inflacionin, ku theksohet se shpenzimet për nevojat bazë, përfshirë gjërat ushqimore, transportin, shërbimet komunale, shëndetësinë, qiranë dhe shpenzimet e arsimit, janë rritur gjatë tri viteve radhazi. E, sipas indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për muajin shtator 2023, çmimet e konsumit janë më të larta në një mesatare prej 4.2 për qind, krahasuar me muajin shtator të vitit të kaluar.