Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kadetët e rinj të FSK-së: Të lumtur e të priveligjuar që do t’i shërbejmë shtetit

 
   

Sot, diplomoi gjenerata 2023 e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare, duke i shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe 15 oficerë të rinj. Pas përfundimit të ceremonisë, kadetët e rinj të FSK-së thanë se janë krenarë dhe të lumtur që veshën uniformën e shtetit.

Ata për KosovaPress u shprehën të vendosur që do t’i shërbejnë shtetit në të gjitha format me nder dhe devotshmëri. Ndërkohë, familjarët e thanë se u ndien të emocionuar, por edhe krenarë që bijtë e tyre do t’i shërbejnë Kosovës.

I diplomuari Altin Begaj tha se vendimi që t’i bashkohet FSK-së ka qenë vendimi i tij më i mirë në jetë.

Ai tha se diplomimi në akademinë ushtarake të Kosovës ka qenë gjithmonë qëllim parësor i tij dhe se sot është shumë i lumtur.

Begaj: Diplomimi në akademinë ushtarake ka qenë qëllim parësor

“Momentalisht ndihem shumë i emocionuar, diplomimi në akademinë ushtarake nuk është gjë e vogël për neve, por ka qenë gjithmonë qëllim parësor për neve. Ndihemi shumë të lumtur këto momente. Jeta në akademinë ushtarake është një sfidë në vete, por kur shoqëria dhe kadetët e tjerë janë krahë teje të ndihmojnë që me kaluar këtë sfidë shumë lehtë. Synimi i im është që të shërbejë si nëntoger në Forcën e Sigurisë së Kosovës kryesisht në regjiment. Është vendimi që e kam marrë me ju bashkëngjit Forcës së Sigurisë së Kosovës në akademinë ushtarake është vendimi më i mirë në jetën time, i bëjë thirrje çdo të riu të i shërbejnë vendit në mënyrën më të mirë të duhur”, tha Begaj.

Ndërsa, Çlirim Gërguri tha se ndihet krenar që do t’i shërbejë atdheut, derisa tha se ëndrra iu bë realitet.

Gërguri: Krenari e madhe t’i shërbej vendit

“Krenari e madhe me ardhur mundësia me i shërbyer vendit tim edhe kjo ëndërr veçse është realizuar. Shpresoj që në pozita sa më shumë me i shërbyer atdheut, është forma më e mirë e edukimit sa i përket në Kosovë, edukimi më i lartë arsimor dhe personal më i mirë në vend. Ka qenë sfidë, por çdo gjë kalohet me përkushtim”, tha Gërguri.

Ndërkaq, e diplomuara Ermonda Mehaj u shpreh për KosovaPress se ndihet e nderuar që vesh uniformën e FSK-së. Ajo tha se ka synim që vendit t’i shërbejë në formën më të mirë.

Mehaj: Gjithmonë e kam ditur se do të vesh uniformën e FSK-së

“Po ndihem shumë e lumtur e privilegjuar që jam duke e veshur këtë uniformë dhe është një ditë shumë e madhe, shumë mirë me përkrahjen e familjes gjithçka është e mundur. Prej meje ne bazë të frymë në të cilën jam rritur për shkak se dy axhë i kam dëshmorë dhe gjithmonë e kam ditur se do të vesh uniformen. Synimi im është që gjithmonë më i shërbyer vendit në formën më të mirë të mundëshme”, u shpreh Mehaj.

Ndërkohë, familjarët e kadetëve të rinj theksuan se të rinjtë i kanë përkrahur në zgjedhjen e profesionit të tyre dhe sot ndiehen shumë krenarë që ata kanë realizuar ëndrrat e tyre.

Njëra nga familjaret e kadetëve të rinjë, Lumnije Kryeziu tha ndihet me krenare me djalin e saj, i cili e arriti qëllimin e tij.

Kryeziu: Jemi shumë krenar me djalin tonë komplet si familje

“Sot ka diplomuar djali jem dhe jam shumë krenare me të, kemi pasë edhe familjarë që kanë luftuar gjatë luftës është babi i tij dhe axhallarët, që ka luftuar gjatë luftës. Ky gjithë e ka bërë plan me ardhur sot këtu dhe sot e ka arrit qëllimin dhe jemi shumë krenarë me të komplet si familje. E kemi përkrahë gjithmonë dhe vazhdojmë me përkrah . Edhe djali tjetër kam dëshirë me ardhur njëjtë si në vendin e vëllaut, kemi dëshirë me e përcjell si familje”, tha Kryeziu.

Edhe Rexhep Gërguri, gjyshi i njërit nga kadetët e FSK-së u shpreh krenar për nipin e tij që sot diplomoi.

Gërguri: Jam krenar për nipin tim

“Une babgjyshi i shtëpisë, kjo e ka nip edhe unë e kam nip, boll valla jemi krenarë, po qaj prej gëzimit, edhe djali ka qenë veteran edhe dëshmor edhe vëllau i tij është veteran…boll jemi krenarë”, tha Gërguri.

Ndërkaq, Arbias Begaj tha se ndihet krenar me vëllain e tij. Ai u shpreh për KosovaPress se do ta mbështesin gjithmonë të vëllain.

Begaj: Jam krenar për vëllaun tim

“Ka diplomuar sot vëllau im, jam shumë krenarë për to, për njeriun që është bërë dhe ambiciet dhe vizionin si njeri që e ka. Pa dyshim ka qenë si iniciativë brenda familjes është një energji brenda familjes si tip më emocional, ka qenë vendimi i tij, mirëpo përkrahjen tonë e ka pasur që nga dita e parë gjithmonë dhe do ta ketë në vazhdim. Është një profesion që kërkon devotshmëri, përkushtim dhe sakrificë që një i ri në të ardhmen e ka prioritet. Kjo është prioritet për familjen e tonë dhe e vëllau i vogël do të ndjekë hapat e vëllaut tonë Altinit”, tha Begaj

Ndryshe, 15 kadetë iu shtuan Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ata diplomuan nga Qendra e Studimeve Universitare, kur për katër vite radhazi janë përgatitur për t’i shërbyer vendit.