Por, ndryshe mendon, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Ai thotë se Asociacioni bazën e ka në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe se fillimi i strukturës së Asociacionit është ekuivalent me asociacionin e komunave tona që tash janë në funksion si shoqëri joqeveritare.
Ndërsa, konsideron se edhepse draft-statuti nuk është bërë publik është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
“Prej gjithë këtyre statuteve, projekt-statuteve është nxjerrë apo hartuar një projekt i tillë i cili ende nuk ka dal në publik dhe konsideroj se është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet për vetëqeverisje lokale, po ashtu është në harmoni me Kartën Evropiane të vetëqeverisjes lokale”, ka deklaruar Kryeziu.
I, pyetur se a mund të ketë Asociacioni, kompetenca ekzekutive, Kryeziu ka sqaruar se çfarë nënkuptojnë kompetencat ekzekutive.
“Kompetencat ekzekutive vet qeveria që i ka në nivel republike dhe qendror, kompetencë ekzekutive kanë edhe komunat. Kryetarët e komunave janë ushtrues të detyrës së kompetencave ekzekutive, këto kompetenca kanë me qenë ekzekutive –administrative të karakterit lokal, të pushtetit lokal, jo të pushtetit qendror, unë e konsideroj kështu për shkak se Asociacioni ka me funksionu në bazë të një akti nënligjor statuti ku pastaj kanë të drejtë të nxjerrin rregullore, vendime, të cilat po ashtu janë ekzekutive”, ka thënë ai.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç u arrit pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ndërkohë, në fund të shkurtit të këtij viti, të dyja palët e pranuan propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, dhe më pas në mes të marsit, aneksin për zbatimin e tij. Ajo marrëveshje, ndër të tjera, parasheh që pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë t’iu jepet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit.