![](https://i0.wp.com/www.fiks.al/wp-content/uploads/2023/08/kadrijaj-del-me-nje-thirrje-publike-per-shba-ne-hetojeni-kurtin-u-sherben-agjendave-armiqesore_64e2228a7a775.png?resize=600%2C330&ssl=1)
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se dyshon që kryeministri Albin Kurti u shërben “agjendave armiqësore”.
Ajo i ka bërë “thirrje publike” Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të bëjnë “një hetim të pavarur”.
“Ka kohë që AAK ka ngritur dyshimin rreth mundësisë që Kurti i shërben agjendave armiqësore. Thirrje publike për aleatët tanë – ShBA-të, që të inicojnë një hetim të pavarur rreth këtyre temave!”, shkroi Kadrijaj.
“A ka Kurti lidhje me mafinë energjetike serbo-ruse? A qëndron fakti që Kurti i anuloi dy projektet kryesore amerikane në Kosovë; ndërtimin e termocentralit të ri dhe projektin e gazsjellësit amerikan, për t’i favorizuar lidhjet e tij përmes Martin Berishajt në Serbi, e deri tek oligarkët rus?”, pyeti deputetja e AAK-së.
Ajo tha se shpreson që kjo çështje “do të hetohet më seriozisht”, pasi, sipas saj, “çdo lëvizje e tij e shton dyshimin që ky është i kapur nga armiqtë e Kosovës”.