Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Kam me t’pre copa-copa”, ky është inspektori që u kërcënua pasi rrënuan një objekt në Prishtinë

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina ka marrë një hov të madh të ndërtimeve të banesave e objekteve të larta të cilat mund të ju japin përshtypje të një vendi metropolitan. Megjithatë, jo të gjitha ndërtesat i kanë plotësuar kushtet ligjore që parashihen për ndërtimin e tyre. Shumë prej tyre rrënohen nga inspektorati i komunës për shkak të shkeljeve që janë bërë duke mos respektuar normat arkitekturore.

Si pasojë e rrënimit, zyrtarët e institucioneve ballafaqohen me kërcënime serioze nga pronarët e objekteve që janë cak i rrënimit.

E një rast i tillë është raportuar në komunën e Prishtinës, ku një person ka kanosur inspektorin e komunës madje edhe e ka kërcënuar me jetë derisa ishte duke u rrënuar një objekt në lagjen “Emshir”.

Burimet nga Prokuroria bëjnë të ditur se inspektori i komunës, V. Lipa, ka raportuar në Polici se derisa ishte me asistencën e njësitit policor në rrënimin e një objekti, është kërcënuar nga i dyshuar I.K.

Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari e ka kërcënuar duke iu drejtuar me fjalët: “ Kam me t’pre copa-copa, Policia s’ka me të rujtë gjithë”.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Media ka kontaktuar drejtorin e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi mirëpo deri në momentin e publikimit të lajmit, nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.