Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kamberi dënon rrëmbimin e policëve nga Serbia

 
   

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi e ka dënuar rrëmbimin e tre policëve kosovarë nga autoritetet e Beogradit.

Ai ka thënë se vend të deskalimit të situatës, edhe ashtu të tensionuar, ka ndodhur e kundërta.

Sipas tij, futja në territorin e një shtetit tjetër dhe arrestimi i pjesëtarëve të saj të rendit dhe ligjit – siç veproi sot Serbia ndaj Kosovës – përbën aktin më brutal të cënimit të stabilitetit rajonal.

Postimi i plotë:

Eskalim në vend të de-eskalimit.

Futja në territorin e një shtetit tjetër dhe arrestimi i pjesëtarëve të saj të rendit dhe ligjit përbën aktin më brutal të cënimit të stabilitetit rajonal.

Akti i sotëm i njësiteve speciale të Serbisë, të cilat kanë arrëstuar tre pjesëtarë të policisë së Kosovës është ndër aktet më provokative të cilat ka ndërmarë Serbia ndaj shtetit të Kosovës kufijtë e të cilit mbrohen nga ushtarët e Aleancës Veri – Atalntike.

A është kjo hakmarrje e Serbisë ndaj arrestimit të djeshëm të një serbi në veri të Kosovës, (i akuzuar për sulme ndaj forcave ndërkombëtare) apo motivi i këtij akti provokimi të paqes dhe stabilitetit shkon në shërbim të nevojave të politikës së brendshme të A. Vuçiq, i cili përditë po përballet me revoltën në rritje gjithpopullore ndaj regjimit të tij autokrat?

Sa për njohuri, që nga viti 2001, Serbia, nën akuzën e trilluar për terrorizëm, në Luginë të Preshevës, ka arrestuar dhjetra të rinjë.

Ndaj tyre janë shqiptuar dhjetëra vite dënime më burgje.

Ka dënuar edhe krerët e partive politike për përdorim të simboleve kombëtare, por, asnjëherë nuk ka patur reagim të këtilla të provokimeve brutale ndaj paqes nga ana e Kosovës.

Koinçidencë apo jo, sot, në parlament është dashur të nisë seanca me pikën e rendit të ditës e që ka të bëjë me shkarkimin e ministrit të punëve të brendshme, B.Gashiq, të cilin opozita e konsideron fajtor për masakrat e fundit që ndodhën në një shkollë fillore në Beograd dhe në një fshat në Serbi.

Fillimi i senacës ka dështuar sepse deputetët e pozitës nuk kanë qëndruar në sallë për të krijuar kuorum. Kjo dëshmon se sa e rëndësishme është për Aleksandar Vuçiqin që ta ruaj Bratisllav Gashiqin në vendin e ministrit të brendshëm.

Metoda më e përhapur e regjimeve autokrate është që në „rast të krizave të brendshme duhet gjetur apo trilluar armiq të jashtëm”.

Në një opinion të frymëzuar në vazhdimësi, nga media e kontrolluar, me urrejtje ndaj shqiptarëve, në situatë kur regjimi i Vuçiq po përballet me kërcënimet e brendshme, nuk ka temë më të përshtatshme se Kosova përmes të cilës tentohet të largohet vëmendja nga problemet e brendshme.

Ky veprim është në kundërshtim të plotë me aspiratën për paqe e stabilitet në rajonal, prandaj edhe ky akt shkon në shërbim të destabilizimit të mëtutjeshëm të situatës në Veri të Kosovës.

Në anën tjetër, momente sikurse ky i sotit, duhet të na rikthejnë në vëmendje faktin e pakontestueshëm se, sikurse e djeshma, as e sotmja e as e nesërmja e Kosovës nuk do të jenë të garantuar pa aleancën e shenjtë me partnerët perëndimorë.

Ballkani Perëndimor është pjesë e rendësishme dhe strategjike e fuqive perëndimore dhe gjithkush në të duhet të punojë për të kultivuar dhe ruajtur paqën dhe stabilitetin.

Prandaj, dialogu nuk ka alternativë.