Qendra e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, e njohur deri tani si Kampi “Belevedere”, prej sot ka marrë emrin e heroit, policit të vrarë, Enver Zymberi. Aty u zbulua pllaka përkujtimore e tij, ndërsa në këtë ditë memoriale u përkujtuan edhe 22 policë tjerë të rënë në kryerje të detyrës.
Në këtë ceremoni të organizuar nga Policia e Kosovës, përveç familjarëve morën pjesë edhe autoritetet më të larta shtetërore.
Kryeministri Albin Kurti, tha se këta 22 pjesëtarë të policisë u përjetësuan në historinë e Kosovës, duke dhënë jetën në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, si dhe në operacione për shtrirje të rendit dhe sovranitetit të vendit.
Duke ju drejtuar familjarëve të policëve të vrarë, Kurti theksoi se sakrifica e bijve të tyre është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës.
Ai bëri të ditur poashtu se kampi ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të vazhdojnë të zhvillohen e të angazhohen, nga sot e tutje bart emrin e Enver Zymberit.
Kurti: Kampi ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të zhvillohen, tani e bartë emrin e Enver Zymberit
“Këta 22 pjesëtarë të policisë tonë u përjetësuan në historinë e vendit tonë, duke dhënë jetën në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, në operacione për shtrirje të rendit dhe sovranitetit, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, e në patrullime të rregullta. E sot teksa kujtojmë të gjithë ata, bëhen 12 vjet nga vrasja e Enver Zymberit nga strukturat kriminale. Kampi ku jemi mledhur këtu, ka qenë dalja e fundit e Enver Zymberit drejt operacionit për shtrirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë në të dy pikat kufitare me Serbinë… Të dashura familje që jeni sot me neve, sakrifica e bijve tuaj është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës. Ju i keni dhënë vendit tonë më të dashurit tuaj, teksa ata jetojnë gjithmonë mes nesh… Rënia në krye të detyrës e familjarëve tuaj ka ngritur lartë dhe përjetësisht emrat e tyre në historinë e Policisë së Kosovës dhe të Republikës së Kosovës. Të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës që sot qëndroni në këtë vend, kampi ku do të vazhdoni të zhvilloheni e të angazhoheni, nga sot e tutje bart emrin e Enver Zymberit’, ka thënë kryeministri Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ndihet jashtëzakonisht krenar që sot përkujtohen 22 policët e rënë në kryerje të detyrës.
Sipas tij, kësaj Qendre, i shkon të mbajë emrin e heroit Enver Zymberi, sepse gjatë kësaj kohe të shkurtër nga ky vend janë marrë vendime të rëndësishme, janë shënuar rezultate të theksuara, në urdhër dhe qëllimin për të cilin dhanë jetën të gjithë këta dëshmorë.
Sveçla: Është krenari të kujtojmë dhe nderojmë veprën heroike të 22 policëve që u vranë në kryerje të detyrës
“Është nder dhe krenari që sot së bashku këtu, kujtojmë dhe nderojmë veprën heroike të 22 zyrtarëve tonë policorë të cilët u vranë në kryerje të detyrës… Kësaj Qendre i shkon të mbajë emrin e heroit Enver Zymberi, sepse gjatë kësaj kohe të shkurtër nga ky vend janë marrë vendime të rëndësishme, janë shënuar rezultate të theksuara, në urdhër dhe qëllimin për të cilin dhanë jetën të gjithë këta dëshmorë. Nuk ka më të drejtë për institucionin e Policisë se të vendosë përputhje në mes aktit sublim dëshmorit dhe etikës së lartë të institucionit’, u shpreh Sveçla.
Ndërkaq, Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, e ka quajtur të veçantë ditën e sotme për policinë, për shkak të shënimit të përvjetorit të rënies në detyrë të 22 heronjve.
Ai shtoi se këtë ditë e bënë edhe më të veçantë vend i shënimit të kësaj ceremonie, ngase siç tha ai, është ky vend ku buron atdhedashuria, sakrifica dhe lartësimi për të rënët.
Hoxha: Sot është ditë e veçantë për Policinë e Kosovës
“Dita e sotme për Policinë e Kosovës është një ditë e veçantë. Është e veçantë sepse po shënojmë përvjetorin e rënies në detyrë të 22 heronjve tonë. Edhe më të veçantë këtë ditë e bënë vetë vend i shënimit të kësaj ceremonie. Është ky vendi ku buron atdhedashuria, sakrifica dhe lartësimi për të rënët’, potencoi Hoxha.