Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kanë filluar bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë në Riad

Kanë filluar bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë, në Riad të Arabisë Saudite, sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass.

Pjesë e delegacionit amerikan janë Andrew Peek, drejtor i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe Majkëll Anton, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Nga ana ruse janë, Grigory Karasin që drejton delegacionin rus, është një diplomat karriere dhe kryetar i komitetit të çështjeve ndërkombëtare në dhomën e lartë të parlamentit dhe Sergei Beseda, këshilltar i kreut të agjencisë ruse të sigurisë FSB, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve Reuters.

Mësohet se bisedimet po zhvillohen me dyer të mbyllura dhe gazetarëve iu kërkua të largoheshin nga hoteli Ritz-Carlton në Riad ku po mbahen bisedimet.

Delegacioni amerikan dje u takua edhe me delegacionin ukrainas të udhëhequr nga Ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, të cilët janë duke qëndruar në Riad poashtu.

Umerov i ka përshkruar bisedimet si “produktive” në një postim në X, duke thënë se ata trajtuan pikat kyçe, duke përfshirë energjinë, dhe po punonin për ta bërë realitet qëllimin e Zelensky për të siguruar “një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë të përditshme ka thënë se siguria e transportit detar në Detin e Zi është fokusi i bisedimeve mes delegacioneve ruse dhe amerikane në Arabinë Saudite sot

“Ky ishte sugjerimi i Presidentit Trump dhe Presidenti Putin ra dakord me të,” tha Peskov.