![](https://i0.wp.com/www.fiks.al/wp-content/uploads/2023/08/kapet-me-droge-nje-person-te-diskoteka-ne-gjilan-intervenon-policia_64ce785a1184c.png?resize=717%2C375&ssl=1)
Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar në orët e para të ditës së sotme te diskoteka ‘Stop’ në Gjilan, ku një person është kapur në flagrancë me lëndë narkotike.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë kanë gjetur te 35-vjeçari sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa droga është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.